100 prokurorë dhe 30 punonjës të stafit administrativ do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mërkurën, ka bërë të ditur se 100 prokurorë do të jenë të angazhuar për ditën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, ai tha se të angazhuar janë edhe 30 persona nga stafi administrativ,…

Lajme

05/02/2025 14:42

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mërkurën, ka bërë të ditur se 100 prokurorë do të jenë të angazhuar për ditën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, më 9 shkurt 2025.

Gjithashtu, ai tha se të angazhuar janë edhe 30 persona nga stafi administrativ, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në mbledhjen e Këshillit, u diskutua kërkesa e Koordinatores Nacionale për Zgjedhje,  Laura Pula, e cila ka kërkuar pagesë për prokurorët e angazhuar në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa, shuma ka kërkuar që të caktohen nga Këshilli.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Kelmendi tha se janë angazhuar që në secilën komunë të ketë prokurorë kujdestarë që mbarëvajtja e zgjedhjeve të shkojë sa më mirë, ku do të ketë kujdestari edhe pas orës së votimit.

“Nuk e di si qëndron puna me mjetet buxhetore të Këshillit sepse ne kemi pasur problem aprovimin e kërkesave tona nga Qeveria për buxhet dhe nuk është aprovuar pothuajse asnjë kërkesë”, u shpreh ai.

Kelmendi shtoi se mëditja gjatë kujdestarisë dhe angazhimit të tyre iu takon me Ligjin e Pagave.

Kështu, Këshilli mori vendim që t’i drejtohen Komisionit për buxhet dhe financa që t’i kryejnë këto pagesa.