100 kadetë bëhen pjesë e SHKK-së, Dibrani: Nga sot ju do të jeni ata që do të garantoni sigurinë dhe disiplinën në institucionet korrektuese

100 kadetë kanë përmbyllur me sukses përgatitjen profesionale dhe nga sot do t’i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), raporton Ekonomia Online. Në ceremoninë e diplomimit, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor, duke theksuar rëndësinë e tyre jo…

Lajme

14/08/2026 10:38

100 kadetë kanë përmbyllur me sukses përgatitjen profesionale dhe nga sot do t’i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e diplomimit, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor, duke theksuar rëndësinë e tyre jo vetëm në garantimin e sigurisë dhe rendit, por edhe në proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve.

Dibrani, tha se kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë.

“Për ju, kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Por mbi të gjitha, kjo është dita kur ju bëni përsipër një përgjegjësi të madhe. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju”, tha Dibrani.

Ai theksoi se nga sot kadetët do të kenë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese.

“Nga dita e sotme, ju do të jeni ata që do të garantoni sigurinë, rendin dhe disiplinën në institucionet tona korrektuese. Por puna juaj do të jetë shumë më tepër se kaq.

Ne kemi një mision më të gjerë. Ne duhet të garantojmë sigurinë, por njëkohësisht të krijojmë mundësi për rehabilitim, riintegrim dhe ndryshim. Sepse për çdo person që hyn në një institucion korrektues, duhet të ekzistojë mundësia që një ditë të kthehet në shoqëri si njeri i doreshëm për shoqërinë dhe i përgjegjshëm. Dhe në këtë proces, roli juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Dibrani tha se profesionalizmi dhe respekti për dinjitetin njerëzor duhet të jenë pjesë e ushtrimit të detyrës.

“Ndoshta një ditë fjalët e tuaja, një vendim i drejtë, një sjellje profesionale apo një mundësi që i jepni dikujt për të ndryshuar do të ketë ndikim shumë më të madh sesa mund ta imagjinoni sot.

Duhet ta kuptoni se siguria dhe respekti për dinjitetin njerëzor nuk janë të kundërta, ato ecin bashkë. Ligji është udhërrëfyesi juaj, profesionalizmi është forca juaj, integriteti është mbrojtja juaj, dhe respekti për njeriun duhet të jetë gjithmonë pjesë e mënyrës se si ushtroni autoritetin tuaj”, tha Dibrani.

Duke iu drejtuar familjarëve të kadetëve, Dibrani tha se edhe ata kanë pjesë në suksesin e tyre.

“Të nderuar familjarë, pas secilit prej këtyre 100 kadetëve qëndron një familje. Një familje që ka qenë pranë tyre në ditët më të mira dhe në ditët më të vështira. Një familje që ka pritur, ka inkurajuar dhe ka besuar. Prandaj, kjo është dita juaj. Kjo diplomë është gjithashtu dëshmi e mbështetjes që ju keni dhënë.

Sot keni të drejtë të jeni krenarë, sepse nga sot djemtë dhe vajzat, bashkëshortët dhe bashkëshortet, vëllezërit dhe motrat tuaja do të shërbejnë në një ndër institucionet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.

Në fund, Dibrani tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë të punojë për krijimin e kushteve dhe mbështetjes së nevojshme për zyrtarët e rinj. “Dhe unë ju premtoj se Shërbimi Korrektues do të vazhdojë të punojë që ata të kenë kushte, përgatitje dhe mbështetje të nevojshme për ta ushtruar me dinjitet këtë profesion”, përfundoi Dibrani.