1 milion e 586 mijë banorë, 560 mijë banesa e 353 mijë ekonomi familjare-Rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot të dhënat në lidhje me regjistrimin e popullsisë së Kosovës. Nga këto të dhëna u bë e ditur se Kosova ka popullsi prej 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë. Prej tyre 795 mijë e 45 janë meshkuj ndërsa 791 mijë e 614 femra. Po…

Lajme

12/07/2024 11:10

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot të dhënat në lidhje me regjistrimin e popullsisë së Kosovës.

Nga këto të dhëna u bë e ditur se Kosova ka popullsi prej 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë.

Prej tyre 795 mijë e 45 janë meshkuj ndërsa 791 mijë e 614 femra.

Po ashtu u bë e ditur se në rezultat preliminare, në diasporë janë regjistruar rreth 600 mijë qytetarë.

Këto të dhëna i ka prezantuar sot Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë ku po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministra, kryetarë komunash e ambasadorë.

Në bazë të këtyre regjistrave del se mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82 ( rritje për 4.85 vjet). Ndërsa raporti gjinor nuk ka pasur ndryshime, gjinia mashkullore ka dominuar në regjistrim.

Kurse në vendin tonë mosha dominante është 16-24 vjet.

Tri komunat me dendësinë më të madhe të popullsisë janë Fushë-Kosova, Mamusha dhe kryeqyteti-Prishtina.

Numri i banesave në vendin tonë është 560 mijë, kurse numri i ekonomike familjare është 353 mijë ekonomi familjare derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banorë.

Kastrati tha se në komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, pati bojkotim në masë të madhe. Ai shtoi se rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në dhjetor.

“Rezultatet mund të ndryshojnë pak nga të dhënat paraprake”, tha Kastrati.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është bërë nga 5 prilli deri më 24 maj 2024.

Në këtë regjistrimi kanë qenë shtatë pyetësorë për plotësim dhe atyre i janë shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkatdhetarëve.

Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë. Për ata që kanë refuzuar të ofrojnë të dhënat apo kanë ofruar të dhëna jo të sakta, do të pasojnë gjobat.

Në lidhje me këtë sot është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e vlerësoi të suksesshëm këtë regjistrim.

“Realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më më prioritet të qeverisë gjatë këtij viti, duke marrë parasysh rëndësinë e të dhënave në kohë si dhe raundin e regjistrimeve globale 2015-2024, ku edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij zhvillimi.Ky regjistrim është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë, duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve, ashtu edhe për hedhje të bazave për vendimmarrje për të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se statistikat e mirëfillta janë si GPS i së ardhmes së vendit tonë.

“Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurtë se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë, përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha Kurti.

I pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se nxjerrja e të dhënave të plota dhe të sakta do t’iu mundësojë vendimmarrësve, duke nisur nga niveli lokal e qendror për orientim të politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët./Lajmi.net/