1 marsi ndër vite

Gjithçka që ka ndodhur më 1 mars ndër vite.

Bota

01/03/2017 10:11

752 pes – Romulus feston triumfin e parë romak në betejën me mbretin e Caeninenses pas përdhunimit të grave Sabine. Në historinë e hershme të Romës, mbreti gjysmë-legjendar i romakëve, Romulus – shqetësuar se Roma, qyteti i sapothemeluar mund të mbetej pa trashëgimtarë – filloi të kërkonte gra si bashkëshorte për qytetarët e tij; ai dërgoi delegacione në rajone të ndryshme për rreth, por ata u refuzuan. Pas kësaj, Romulus organizoi një festival dhe ftoi të gjithë fqinjët e Romës. Në festë shkuan edhe qytetarë nga Caenina (!Caonia, Kanina?), së bashku me shumë banorë të tjerë, përfshi Sabinët. Gjatë festimeve, Romuli u dha shenjë burrave romakë, të cilët menjëherë rrëmbyen vetëm femrat e pamartuara, kryesisht nga fisi Sabin, që ndodheshin në festime. Kjo ngjarje njihet si “Përdhunimi i Grave Sabine”. Mbreti i Caonëve, i pranishëm, i zemëruar nga ajo që ndodhi, u vu në krye të një ushtrie, dhe sulmoi territoret romake. Romulus me ushtrinë e tij i doli përpara, u ndesh, shpartalloi ushtrinë, dhe vrau mbretin. Pastaj, Romulus sulmoi Kaoninë, tashmë pa mbrojte, dhe e mori atë. Romuli u kthye në Romë, dhe shpalli 1 marsin si ditën e triumfit të parë romak.

86 pes – Lucius Cornelius Sulla, në krye të një ushtrie të Republikës Romake, hyri Athinë, duke rrëzuar tiranin Aristion. Gjatë rrethimit të gjatë, brenda qytetit, popullsia mbeti pa ushqime dhe njerëzit, nga nevoja, u detyruan të hanin lëkurë këpucësh dhe bar. Një delegacion nga Athina u dërgua për të biseduar me Sullan rreth lavdisë së qytetit të tyre të lashtë i cili nuk e meritonte një trajtim të tillë.

40 – Lindi Martialis ose Marcus Valerius Martialis – poet romak nga Hispania (Gadishulli Iberik) – i njohur për 12 librat e tij me epigrame, botuar në Romë midis viteve 86 – 103, gjatë sundimit të perandorëve Domitian, Nerva dhe Trajan. Në këto poezitë e shkurtra, Martialis satirizon jetën e qytetit dhe sjelljet skandaloze të miqve të tij, duke romantizuar jetën provinciale. Ai shkroi rreth 1600 copëza poetike ose epigrame.

1854 – Psikologu gjerman Friedrich Eduard Beneke zhduket; eshtrat e tij gjenden dy vjet më vonë në një kanal afër Charlottenburg. Mendohet se u mbyt vetë ndërkohë që ndodhej në gjendje depresive. Beneke ishte ndaluar të jepte leksione në universitete në Berlin (për arsye etike); idetë e tij kundërshtonin mendimet filozofike të Kantit dhe Hegelit, ky i fundit gëzonte simpatinë e autoriteteve prusiane.

1941 – Trupat gjermane pushtojnë Bullgarinë; po atë ditë, Bullgaria bashkohet me fuqitë e boshtit (Gjermani – Itali – Japoni) dhe u shpall luftë aleatëve.

1941 – Himmler, shefi i policisë SS, inspekton kampin e përqendrimit të Aushvicit. Himmler ishte përgjegjës për të ashtuquajturën zgjidhje përfundimtare; plan nazist për të vrarë çifutët e Evropës. Hitleri – i impresionuar me kampin e përqendrimit në Dachau, themeluar nga SS-t më 1933 – autorizoi Himlerin për të krijuar një sistem kampesh përqendrimi, ku deri në kohën e luftës u përfshinë rreth 40 kampe kryesore dhe qindra nënkampe, ku mbaheshin hebrenj, të burgosur politikë, romë (ciganë), të dënuar përsëritës, homoseksualë, dhe të tjerë. Si shpërblim për shërbimin besnik, Hitleri e kishte shpallur Himmlerin si zëvendësin e tij të vetëm; kjo ishte baza për pushtet të jashtëzakonshëm që Himleri dhe SS-t akumuluan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

1945 – Presidenti amerikan Ruzevelt njofton suksesin e Konferencës së Jaltës me udhëheqësin sovjetik Stalin dhe kryeministrin britanik Çurçhill.

1946 – Shtetëzime – Qeveria britanike merr kontrollin e Bankës së Anglisë, bankë private që u krijua në vitin 1694 nga skocezi William Paterson.

1953 – Joseph Stalin pëson një goditje në tru dhe bie në koma. Ai vdes 4 ditë më vonë. Një prej diktatorëve më të fuqishëm dhe vdekjeprurës në histori, Stalini ishte sundimtar i Bashkimit Sovjetik për një çerek shekulli. Regjimi i tij i terrorit shkaktoi vdekjen dhe vuajtjet e dhjetëra miliona njerëzve, por ai gjithashtu drejtoi makinerinë e luftës që luajti rol kyç në mposhtjen e nazizmit.

1954 – Katër nacionalistë puerto-rikanë hapin zjarr në kongresin amerikan, duke plagosur katër anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve.

1961 – Presidenti Kennedy nënshkruan urdhërin ekzekutiv për krijimin e Korpusit vullnetar të Paqes. Të nesërmen presidenti e shpalli vendimin në televizion; dhe më 21 shtator 1961, kongresi miraton Aktin e Korpusit të Paqes (për të nxitur paqen dhe miqësinë mes vendeve dhe popujve). Midis viteve 1961 – 2013, mbi 210 mijë amerikanë iu bashkuan Korpusit të Paqes dhe shërbyen në 139 vende.

1977 – Banka e Amerikës miraton emrin VISA për kartat e kreditit. Fjala Visa u zgjodh për thjeshtësinë e saj – e njohur prej kohësh me kuptim universal “vërtetim”.

1978 – Arkivoli me trupin e Çarlie Çaplinit (1889 – 1977) vidhet nga një varrezë në fshatin zviceran Corsier-sur-Vevey, në kodrat mbi liqenin e Gjenevës, pranë Lozanës. Pas një hetimi pesë-javor, policia zvicerane arrestoi dy mekanikë automjetesh – Roman Wardas nga Polonia, dhe Gantscho Ganev nga Bullgaria (të dy refugjatë politikë) – që e kishin ri-varrosur trupin në një fushë rreth 2 km nga shtëpia e familjes Chaplin në Corsier. Në dhjetor, Wardas dhe Ganev u dënuan për grabitje të rëndë. Ata thanë se e vodhën trupin e Çaplinit në përpjekje për të zgjidhur vështirësitë e tyre financiare. Wardas, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa pohoi se ishte frymëzuar nga një krim i ngjashëm që kishte lexuar në një gazetë italiane; Ganev dënua me 18 muaj burgim. Sa për Çaplinin, familja e rivarrosi trupin e tij në një varr prej betoni për të parandaluar përpjekjet për vjedhje në të ardhmen.