Nga spitali ku duhet të largoheshin me prindërit, 31 fëmijë u braktisën këtë vit – 12 prej tyre u lan përfundimisht nën “mëshirën e fatit”
Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, përveç dhimbjeve e sfidave që përballen nënat për të sjellë një jetë të re, mbetet një vend përplot emocione. Nëna që marrin këtë titull për herë të parë, e prindër që i gëzohen lindjeve të fëmijëve, por janë edhe disa momente që i “shohin” vetëm korridoret…
Lajme
Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, përveç dhimbjeve e sfidave që përballen nënat për të sjellë një jetë të re, mbetet një vend përplot emocione. Nëna që marrin këtë titull për herë të parë, e prindër që i gëzohen lindjeve të fëmijëve, por janë edhe disa momente që i “shohin” vetëm korridoret e këtij spitali.
Fatkeqësisht, shpesh këto emocione përfundojnë aty. Për arsye të ndryshme të cilat shpesh lidhen me gjendjen ekonomike, apo edhe me shtatzëni që fillojnë pa dëshirën e prindërve.
Edhe 2025-ta, ishte e rëndë në këtë aspekt. Gjatë këtij viti, në QKUK menjëherë pas lindjes janë lënë 31 foshnje, por që pas bisedave që ka realizuar punëtorja sociale, Qendra për Punë Sociale me prindërit biologjik të tyre, 19 prej këtyre fëmijëve të braktisur janë ribashkuar me prindërit e tyre biologjik.
Por, siç kanë thënë nga Klinika e Neonatologjisë, 12 fëmijë në këtë vit po rriten pa prindërit e tyre. Ata kanë kaluar nën përkujdesje të mëtejme tek Qendra për Punë Sociale gjegjëse e Komunës, ndërsa aktualisht dy foshnje gjenden në Klinikën e Neonatologjisë ende.
Nga 31 fëmijët që janë braktisur fillimisht, 15 prej tyre ishin meshkuj ndërsa 16 femra, duke mos qenë gjinia një faktor determinues për këtë dukuri shqetësuese.
Klinika e Neonatologjisë për lajmi.net, ka thënë statistika të braktisjes së foshnjave ndër vite.
“-2020 – Gjithsej: 39 – 20 janë ribashkuar , 19 nen përkujdesje të QPS
-2021: gjithsej 37 29 te ribashkuar , 8 në përkujdesje të QPS
-2022 40. 33 të ribashkuar , 7 nën përkujdesje të QPS
-2023 gjithsej 25 , 22 të ribashkuar , 3 nën përkujdesje të QPS
-2024; gjithsej 37 , 22 të ribashkuar , 15 raste nën përkujdesje të QPS”, kanë thënë nga Klinika e Neonatologjisë, duke bërë të ditur se nga viti 2020-2025, 64 fëmijë janë në duar të Qendrave për Punë Sociale në Komuna të ndryshme.
Nga Klinika e Neonatologjisë, kanë treguar edhe për kujdesin shëndetësor që iu jepet këtyre fëmijëve, e që në thelb janë ushqyerja, pastrimi e monitorimi.
“Ne si institucion shëndetësor, i ofrojmë kujdes shëndetësor kur kanë nevojë për ndonjë tretman, dhe kujdes rutinor ndërsa nuk kemi raporte nga Institucionet sociale lidhur me arsyet se pse i braktisin këta fëmijë”, kanë thënë për lajmi.net nga “shtëpia e parë” e foshnjave të braktisur.
Kjo Klinikë kanë thënë se të gjitha foshnjat që lihen pa përkujdesje prindërore, marrin përkujdesje mjekësore ato që kanë nevojë për trajtim mjekësor ndërsa përkujdesje rutinore ditore për foshnjat e shëndosha, siç janë ushqyerja, ndërrimi, pastrimi dhe monitorimi.
Koha e qëndrimit të këtyre foshnjave tek Klinika e Neonatologjisë, kanë thënë se varet nga gjendja shëndetësore e foshnjës si dhe nga koha kur QPS mund të siguroj një familje strehuese.
Në lidhje me kushtet që kjo Klinikë ka për t’iu ofruar këtyre fëmijëve, ata kanë dhënë përgjigje pozitive.
“Klinika ka mjaftueshëm kapacitete për menaxhimin e këtyre rasteve si në aspektin infrastrukturor ku e kemi njësinë e veçantë, si dhe me staf për përkujdesje ndaj këtyre foshnjave”, kanë thënë nga kjo Klinikë.
Ata kanë treguar se nuk kanë ndonjë protokoll të veçantë që i identifikojnë fëmijët e braktisur pasi që janë vetë prindërit që deklarohen se nuk duan të përkujdesen për ato foshnje, dhe menjëherë pas kësaj deklarate, foshnja merret nga stafi i Klinikës së Neonatologjisë dhe dërgohet tek njësia e veçantë e dedikuar për këto foshnje, ku vazhdon trajtimi dhe përkujdesja.
Braktisja e fëmijëve vazhdon të jetë një sfidë më shumë emocionale për institucionet që merren dhe kujdesen për këta fëmijë, e sfida kryesore ju mbetet vetë fëmijëve që lihen pa përkujdesje prindërore e pa dashurinë e tyre gjatë gjithë jetës.
Kjo dukuri ka disa arsye pse mund të ndodh, e një ndër ta janë vështirësitë ekonomike që përballen prindërit e rinj pas lindjes së një fëmije, duke zgjedhur më pas braktisjen e tyre.
Përveç se në QKUK ku së paku foshnjat marrin përkujdesje, këtë vit ka ndodhur edhe një rast i tmerrshëm. Një foshnje në maj të këtij viti, është gjetur pa shenja jete në afërsi të deponisë së mbeturinave në Prishtinë. Foshnja që ishte gjetur, siç kishte njoftuar Policia e Kosovës ishte e porsalindur, dhe më pas ishte dërguar në IML për obduksion.
Në fund të ditës, braktisja e një fëmije nuk është vetëm dështim individual por është pasqyrë e një shoqërie që ende nuk ka arritur ta mbrojë më të brishtin mes nesh. Çdo fëmijë i lënë pas është një histori që mund të kishte qenë ndryshe, një jetë që pret mëshirë, siguri dhe dashuri. Ndërsa numrat flasin, është detyra jonë të dëgjojmë zërat pas tyre. Sepse fëmijët nuk braktisin të ardhmen; jemi ne ata që u braktisim të drejtën për të pasur një të tillë. Dhe ky është një realitet që nuk guxojmë ta pranojmë si normë. /Lajmi.net/