Votuan për të mbetur territor francez në shekullin 21, Macron i falënderon
"Jo" e pavarësisë mbizotëroi në referendumin e sotëm në Kaledonia e Re, arkipelagu francez në Paqësorin Jugor.
Bota
Sipas rezultateve përfundimtare, 53.26 për qind e votuesve ishin për këtë opsion në referendum, me një pjesëmarrje të paparë. Sidoqoftë, numri i atyre që votuan kundër pavarësisë, ka rënë me më shumë se tre për qind në krahasim me një referendum të ngjashëm të mbajtur më 4 nëntor 2018.
Dy vjet më parë, 56.7 për qind ishin kundër pavarësisë, krahasuar me 43.3 për qind për pavarësinë. Ky hendek u ngushtua në referendumin e sotëm, ku 53.26 për qind e qytetarëve ishin kundër pavarësisë dhe 46.74 për qind ishin pro pavarësisë.
Rezultatet tregojnë gjithashtu se pjesëmarrja ishte historike – 85.64 për qind ose 4.5 për qind më e lartë se në vitin 2018, kur dolën 81 për qind e votuesve.
Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu një “ndjenjë të thellë mirënjohjeje” në një deklaratë pas njoftimit të rezultateve përfundimtare dhe fitores së atyre që votuan për të mbetur në Francë.
“Zgjedhësit kanë votuar. Ata kanë konfirmuar dëshirën e tyre që Kaledonia e Re të mbetet në Francë. Si kryetar i shtetit, unë e marr këtë si shenjë besimi në Republikë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje. Unë gjithashtu i marr këto rezultate me përulësi,” tha Macron në një fjalim nga pallati Elysee.
Pyetja e referendumit ishte “A doni që Kaledonia e Re të fitojë sovranitetin e plotë dhe të bëhet e pavarur?” dhe më shumë se 180.000 qytetarë kishin të drejtë vote.
Fitorja “jo” do të thotë që lejohet organizimi i referendumit të tretë deri në vitin 2022. Ky opsion tashmë është refuzuar nga ata që janë pro qëndrimit në Francë, ndërsa ata që janë pro ndarjes, thonë se duan ta zbatojnë atë.
Me votimin e sotëm, Kaledonia e Re mbetet territor francez, dhe për këtë arsye pjesë e Bashkimit Evropian, me qytetarët që mbajnë shtetësinë franceze.
Referendumi ka qenë prej kohësh planifikuar dhe është përqendruar në çështje lokale, por vjen në një kohë kur trashëgimia e kolonializmit është nën vëzhgim të ri globalisht pas protestave muajve të fundit kundër racizmit të frymëzuar nga lëvizja “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara.