​UP mban mbledhje komemorative për akademik Idriz Ajetin

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot mban mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta të akademik Idriz Ajetit.

Lajme

19/02/2019 07:47

Akademik Ajeti gjatë karrierës së tij ishte edhe rektor i Universitetit të Prishtinës.

Mbledhja komemorative mbahet në Sallën e Senatit në Rektorat dhe fillon në ora 14:00.

Në moshën 102 vjeçare vdiq të mërkurën në Prishtinë, akademik Idriz Ajeti, një nga albanologët më të shquar në botën shqiptare.

Akademik Idriz Ajeti lindi më 27 janar të vitit 1917 në fshatin Topallë të Jabllanicës së epërme në komunën e Medvegjës, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Shkollimin e filluar në vendlindje ai e kishte vazhduar në Shkup, Zagreb e Itali, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore në Beograd. I doktoruar në fushën e gjuhësisë ai ishte kthyer në Prishtinë ku ishte shndërruar në një ndër ndërtuesit e institucioneve të arsimit të lartë derisa i dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjuhës së njësuar letrare shqipe.

Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës, ku akademik Ajeti ishte kryetar në dy mandate, në njoftimin për vdekjen e tij, theksoi se studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot pa kontributin e tij.