​Shënojnë rënie çmimet e prodhimeve blegtorale

Në tremujorin e dytë 2021, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale pati rënie me 8.64 për qind, ka bërë të ditur sot në raportin e saj më të ri Agjencia Statistikave të Kosovës (ASK).

Lajme

04/08/2021 16:08

Në Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi thuhet se indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore gjatë kësaj periudhe pati rënie me 5.86% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore pati rënie me 7.80%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.

Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.

Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.

Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.