Për të tetën herë në Kushtetuese dorëzohen dosjet për kompensimin e dëmeve të luftës
Për herë të tetë me radhë, organizata joqeveritare, “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar dosjet në Gjykatën Kushtetuese rreth vlerësimit te kushtetutshmërisë se aktit juridik të Gjykatës Supreme, me rastin e refuzimit të padisë për kompensimin e dëmeve të luftës. Refuzimi i vazhdueshëm i kësaj lënde u konsiderua si shkelje e gjykatave të rregullta në Kosovë.
Lajme
Por përkundër kësaj, drejtori i kësaj organizate, Jahir Bejta tha se do të këmbëngulin vazhdimisht derisa sa kërkesat e tyre të aprovohen dhe të kompensohen dëmet e luftës.
“Sot vina për herë të tetë me i dorëzuar dosjet. Jena ardh këtu në dy pozicione të betonuar, ngritja e zërit në anën e mbrojtjes së drejtësisë dhe në anën e viktimave. Ndërsa Gjykata Kushtetuese duke i vulosur hipotetikisht me vulë apostile padrejtësinë e gjykatave të rregullta. Them me vulë apostile për faktin se e vetmja Kosova në rajon, e cila nuk ka të drejtë të padisë shtetin e vet kur i bënë padrejtësi. Pasi nuk jemi në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Ai tha se politika duhet të vendosë majat e drejtësisë njerëz që nuk kanë hipotekë të kaluarës.
“ Ne do të këmbëngulim gjitha herët edhe sa herë të refuzohemi deri sa politika jonë të ndryshojë qasjen. Derisa sa politika jonë në majat e drejtësisë vendos njerëzit pa hipotekë të kaluarës. Ndaj lustracioni është i domosdoshëm në gjyqësinë kosovare”, tha ai.
Megjithëkëtë, Bejta nuk bëri të ditur shumën totale të kompensimit të dëmeve të luftës, pasi tha se shteti nuk iu ka lënë qasje me u shtri në të gjitha komunat e vendit.
“Këtu prapë është mungesë e faktorit dhe vullnetit politik për arsye se nuk na kanë lanë qasje me u shtri në gjitha komunat e Kosovës. Ndaj viktimat e shkreta shteti ynë i ka lënë në lloq. I ka lënë në baltë, e pikërisht nuk e ka galjen e tyre”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Bejta tha se drejta e shqyrtimit të padive është parapare në mënyrë decidive me Ligjin për Procedurën Kontestimore me Kushtetutë dhe me Konventën ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat Themelore.