Pandemia ka rritur rastet e viktimave të dhunës në familje
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka thënë se numri i rasteve të viktimave të dhunës në familje është rritur gjatë pandemisë me Covid-19.
Lajme
Në debatin parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje, ai ka thënë me hartimin e projektligjit për shërbimet sociale dhe familjare synojnë të përmirësojnë qasjen ndaj shërbimeve sociale.
“Bazuar në të dhënat e regjistruar nga zyra e koordinatorit nacional rezulton se kemi ngritje të rasteve të viktimave të dhunës në familje, bazuar në vlerësimet tona, ky numër është rritur si rezultat edhe i pandemisë covid-19. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale së bashku me partnerët qeveritar dhe jo qeveritar orienton politikat dhe programet e saj përmes sistemit të referimit në nivel nacional në mbrojtje të kësaj kategorie në nevojë sociale si në përmbushjen e nevojave imediate të fëmijëve dhe të rriturve, strehimin, rehabilitimin, punën me familjen, bashkimin familjar, ri integrimin afatgjatë të tyre”, tha ai.
Reçica ka thënë se përveç në strehimoret aktuale, gjatë këtij viti kanë bashkëpunuar me organizatat jo-qeveritare, në mënyrë që viktimat të marrin trajtim.
“Gjatë vitit 2020 këto organizata jo qeveritare, strehimore, kanë trajtuar dhe strehuar rreth 415 viktima për çdo muaj, andaj ne do të angazhohemi edhe në të ardhmen t’u ofrojmë mbështetje përmes financimit dhe bashkëfinancimit të projekteve nga niveli qendror dhe ai lokal”, tha ai.
Ai ka folur për hartimin e projektligjit për shërbimet sociale dhe familjare përmes së cilit tha se synojnë të përcaktojnë qartë përgjegjësitë e institucioneve në nivel qendror dhe lokal dhe ofruesve të shërbimeve sociale e familjare.
Gjithashtu tha se synojnë klasifikimin e shërbimeve sociale, rritjen e cilësisë së tyre dhe financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale e familjare.
Ai tha se projektligji për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe ai për financat e pushtetit lokal në të cilin është paraparë grant i veçantë për shërbimet sociale, pritet të miratohet vitin e ardhshëm.