​KFOR-i dhuron pajisje mbrojtëse në veri dhe jug të Mitrovicës për luftimin e koronavirusit

KFOR-i sot ka dhuruar pajisje mbrojtëse personale kundër COVID-19 për Mitrovicën në veri dhe në jug.

Lajme

08/04/2020 01:05

Komandanti i Komandës Rajonale të Lindjes, KFOR, të udhëhequr nga SH.B.A., koloneli Eric Riley, i shoqëruar nga personeli i tij mjekësor, dhuroi 4000 doreza jo-sterile, 200 doreza sterile, 20 kuti maska N95, 350 maska për pacientë, 100 mantele për pacientë, 54 shishe sanizuesi i duarve, si dhe furnizimet e tjera sanitare për kryetarin e veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq dhe kryetarin e jugut, Agim Bahtiri për ta luftuar COVID-19.

Sipas një komunikate të KFOR-it, zyrtari për kontrollin e infeksionit i Komandës Rajonale të Lindjes në KFOR, Majori Denise Simon, tha që dhurimi i pajisjeve mbrojtëse personale është i rëndësishëm për punonjësit mjekësorë që t’i përgjigjen në mënyrë efektive rasteve të COVID-19.

KFOR thotë se ka zbatuar masa për kujdes bazuar në rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetit në mënyrë që të zvogëloj rreziqet që lidhen me COVID-19 për personelin e saj dhe për komunitetet e Kosovës.

“Komanda Rajonale Lindje e KFOR-it qëndron me partnerët tanë të NATO-s dhe të gjithë ata që preken nga kriza,” tha kolonel Riley.

“Ne po marrim masa paraprake për të parandaluar përhapjen e COVID-19 duke vazhduar misionin tonë për të siguruar një mjedis të sigurt për popullin e Kosovës, në përputhje me mandatin e KFOR-it, siç përcaktohet me Rezolutën 1244”, thuhet në komunikatë.