​FSSHK kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i lejohet monitorimi i COVID-19 në Luginën e Preshevës

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, pas lejimit të ardhjes së punëtorëve shëndetësorë nga Serbia për të monitoruar situatën me COVID-19 në komunat e banuara me serbë në Kosovë, kërkon që e njëjta gjë t’u lejohet punëtorëve shëndetësorë nga Kosova që t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Lajme

13/05/2020 18:15

Në një letër dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca dhe atij të Shëndetësisë Arben Vitia, FSSHK thotë se për një gjë të tillë janë ofruar vullnetarë duke u nisur nga vetë kryetari i kësaj federate Blerim Syla.

“Ne dëshirojmë të njoftohemi nga dora e parë se a janë testuar dhe si po menaxhohet situata atje. Po ashtu ofrojmë edhe ndihmën tonë profesionale, në koordinim të plotë me udhëzimet dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Ju lutemi që këtë vizitë të na e garantoni përmes komunikimit tuaj me Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë. Besojmë që kësaj radhe kërkesën tonë do ta trajtoni me seriozitet duke e ditur situatën e këtyre qytetarëve dhe nevojës së tyre për t’i qenë pranë dhe ofruar shërbime shëndetësore në këto rrethana”, thuhet në letër.

FSSHK kërkon që kjo çështje të mos politizohet, pasi qëllimi i vetëm i këtyre vizitave është solidarizimi dhe humaniteti i organizimit sindikal për qytetarët-pacientë potencialë në Luginë të Preshevës.