​Dogana arrin 10 për qind më shumë të hyra se sa dy muajt e parë të vitit të kaluar

Dogana e Kosovës për dy muajt e parë të këtij viti, ka arritur të inkasojë afër 167 milionë euro apo 10 përqind më shumë të hyra krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lajme

04/03/2021 16:19

Udhëheqësi i drejtorisë së zbatimit të ligjit në këtë institucion, Bashkim Arifi, në një konferencë për media, tha se projeksioni i të hyrave për vitin 2021, është rreth 1.2 miliardë euro, i cili edhe mund të arrihet nëse vazhdohet me trendin e dy muajve të parë të këtij viti.

“Gjatë periudhës raportuese për këta dy muajt e parë të vitit të hyrat e përgjithshme të inkasuara nga Dogana e Kosovës në total ka arritur shumën afër 167 milionë euro që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është afër 10 përqind më shumë. Do të thotë rreth 14.6 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Kur kihet parasysh fakti se këta dy muaj të vitit të kaluar nuk kanë qenë muaj pandemik kushtimisht po e them për shkak se ende nuk kemi pasur masa kufizuese anti-COVID, kjo është një befasi e këndshme për buxhetin e Kosovës në të cilin kemi arritur t’i rrisim të hyrat për këta dy muaj. Ky trend i të hyrave nëse vazhdon dhe ne besojmë fuqimisht nëse nuk ndodh ndonjë restrikcion shtesë, masa shtrënguese anti-COVID besojmë fuqimisht se projeksioni i të hyrave i paraparë afër 1.2 miliardë euro do të arrihet nga Dogana e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se ky rezultat është arritur falë performancës të mirë të stafit të Doganës së Kosovës, operativës në inkasimin e të hyrave, si dhe veçmas angazhimin në luftimin e evazionit fiskal, kontrabandës dhe informalitetit.

Ndërsa, udhëheqësi i Departamentit Operativ dhe Hetimor, Driton Azemi, ka prezantuar rezultatet sa i përket dy muajve të parë të këtij viti, ku tha se kanë marrë pjesë në 29 plane operative me agjencionet e tjera dhe si rezultat është konfiskuar mall i kontrabanduar në vlerë prej 107 mijë eurove.

“Nga njësitet anti-kontrabandë janë kryer 1 mijë e 708 ndalesa rrugore, kontrolle të automjeteve transportuese, 518 kontrolle në vendkalime kufitare, kemi marrë pjesë në 29 plane operative me agjencione të tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë dhe si rezultat janë zbuluar 40 kundërvajtje doganore, është konfiskuar mall i kontrabanduar në vlerë prej 107 mijë eurosh. Dogana e Kosovës gjatë kësaj kohe po ashtu i ka kryer edhe 25 kontrolle të befasishme pa paralajmërim dhe me këtë rast janë lëshuar vendime për inkasim në vlerë prej 256 mijë euro”, tha ai.

Ai bëri të ditur se Dogana e Kosovës ka identifikuar dhe regjistruar 11 raste të reja penale me dyshime për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga detyrimet doganore.

“Brenda këtyre dy muajve Dogana e Kosovës me sektorët përgjegjës ka identifikuar dhe regjistruar 11 raste të reja penale me dyshime për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga detyrimet doganore. I ka dorëzuar 17 kallëzime pranë Prokurorive përgjegjëse, ku janë siguruar prova të mjaftueshme se kemi të bëjmë me shmangie në vlerë prej më shumë 1.2 milionë eurosh. Bazuar në provat e gjetura dhe rastet e trajtuara së bashku me organet kompetente të drejtësisë gjatë këtyre dy muajve janë arrestuar edhe 5 persona të dyshuar të cilët kanë kontrabanduar dhe kanë kryer shmangie nga detyrimet doganore…Gjatë këtyre dy muajve Dogana e Kosovës në anën administrative ka trajtuar 224 kundërvajtje të zbuluara nëpër zyrat sektorit të Doganës me mall në vlerë prej më shumë se 675 mijë euro dhe janë shqiptuar gjobë rreth 200 mijë euro. Vlen të ceket se të gjitha këto raste të cilat i ka zbuluar dhe hetuar Dogana e Kosovës ndërlidhen me kontrabandim të barnave dhe rrezikim të shëndetit të qytetarëve, kontabandim të telefonave celularë, kontrabandim të mallrave të ndryshëm përmes vijës së gjelbër kufitare dhe po ashtu rishtazi kemi pasur një rast ku është ndaluar dhe zbuluar një tentik kontrabandimi i narkotikëve nga Shqipëria për në Kosovë”, tha ai.

Azemi deklaroi se fal bashkëpunimit ndërkombëtarë, kanë arritur të identifikojnë, ndalojnë dhe të konfiskojnë sasi të konsiderueshme të cigareve të cilat kanë pasur destinacion kontrabandimin ndërkombëtarë.

Po ashtu, ai tha se Dogana e Kosovës vazhdon të punojë që të ketë një imazh të mirë, të luftojë korruposionin dhe të ngritë transparencën. Lidhur me këtë, ai tha se Prokuroria është duke i kryer hetimet për 11 zyrtarë doganor nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Gjatë këtyre dy muajve falë bashkëpunimit ndërkombëtarë kemi arritur të identifikojmë, ndalojmë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë të konfiskojmë një sasi të konsiderueshme të cigareve të cilat kanë pasur destinacion kontrabandim ndërkombëtarë në vendet tjera. Detyrimet doganore të kësaj sasie të duhanit të ndaluar janë rreth 680 mijë euro. Ne do të vazhdojmë me punë, do të mundohemi t’i arrijmë rezultatet të cilat i kemi para nesh, në përkushtim të zbatimit të ligjit duke i kushtuar rëndësi luftimit të korrupsionit, ngritjes së transparencës dhe prezantimit të drejtë të imazhit të Doganës. Me këtë qëllim Dogana e Kosovës për momentin nën udhëheqjen e Prokurorisë është duke i kryer hetimet për 11 zyrtarë doganor nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare”, tha ai.

Në fushën e të drejtësisë së pronësisë intelektuale, për dy muaj ai tha se Dogana e Kosovës ka iniciuar 41 raste për verifikim të 68 mijë e 375 artikujve të dyshuar si të falsifikuar. Si rezultat i kësaj, ai potencoi se është konfiskuar mall i falsifikuar në vlerë prej 151 mijë eurosh.