Bullgaria: 150.000 vaksina kundërCOVID-19 për Ballkanin Perëndimor
Bullgaria ka në plan të sigurojë rreth 150 mijë vaksina kundër COVID-19 për fqinjët e saj ballkanikë, tha sot ministri i Shëndetësisë Stojko Katsarov.
Lifestyle
“Ideja është që të shpërndahen deri në 150.000 doza midis vendeve tona fqinje në Ballkanin Perëndimor,” u tha Katsarov gazetarëve, duke shtuar se Sofja zyrtare kishte marrë kërkesa nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton Reuters.
Ministri gjithashtu deklaroi se një përgjigje nga Komisioni Evropian duhet të mbërrijë nesër në lidhje me atë se si saktësisht duhet të veprojë Bullgaria dhe nëse ajo mund të dhurojë ose të shesë doza. Ai shtoi se Bullgaria dëshiron të dhurojë kryesisht vaksina AstraZeneca.
Presidenti bullgar Rumen Radev tha javën e kaluar se Sofja ka në plan të dhurojë sasi të konsiderueshme të vaksinave për Maqedoninë Veriore, kujton Reuters, të cilën agjencia vlerëson se mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara midis dy vendeve, të cilat u prishën nga vetoja e Bullgarisë në bisedimet e Maqedonisë Veriore për aderim në BE.
Bullgaria ka nivelet më të ulëta të vaksinimit në BE, por Katsarov thotë se vendi i tij ka rënë dakord për 13 deri në 14 milionë doza nën një skemë evropiane të shpërndarjes së vaksinave deri në fund të vitit dhe mund të përballojë të ndihmojë vendet e tjera.