​Bisilimi- deputetëve opozitarë: U mbytëm duke iu thënë mos rreni, por sërish po dilni edhe po rreni

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është përplasur verbalisht me deputetët opozitarë në seancën e sotme plenare.

Lajme

20/01/2022 12:03

Duke diskutuar për krizën energjetike, Bislimi iu drejtua opozitarëve duke iu thënë mos të gënjejnë dhe manipulojnë me shifra.

“Rritja është 9 për qind nuk është 100 për qind. Duhet me kuptu këtë, çmimi prej 14 cent, jo 21 se po manipuloni aplikohet vetëm për ata që konsumojmë më shumë se 600 kilovat dhe mbi 600. Nuk është rritë tarifa, nuk është bërë tarifa 14 cent dhe 21 cent. U mbytëm t’iu thënë mos rreni, por sërish po dilni po rreni. U mbytëm t’u iu thënë”, tha ai.

Kjo ngriti reagimin e ashpër të deputetëve opozitarë të cilët tentonin ta ndërprenë fjalën e zëvendëskryeministrit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga ana e kryetarit të Kuvendit t’i tërheq vërejtjen Bislimit.

“Duhet me ia tërheq vërejtjen zëvendëskryeministrit, është e turpshme me dalë dhe iu thënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës po rreni. Ky në mungesë të argumenteve dhe fakte ky del dhe bënë këso akuza të tilla që janë të papranueshme”, theksoi ai.

Deklaratat e zëvendëskryeministrit i konsideroi ofenduese edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“A e dini pse thotë, pasi i kanë humbur të gjitha argumentet me mbrojt një kauzë politike që e udhëheq. Mundohet përmes ofendimit të cilën unë nuk e marrë personal, pasi është ofendim që ia ka bërë vetit dhe jo mua”, deklaroi ai.

Në këtë debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi respekt të ndërsjellët.

“Respektoni njëri tjetrin kur flisni dhe lëni kolegët me fol. Është e vërtet se fjala gënjeshtër është përdorur shpesh në këtë parlament, nuk është shprehja më e mirë nuk ia kisha propozuar me përdor. Duhet të respektojmë njëri tjetrin”, shtoi ai