​Veseli: Lugina e Preshevës ka nevojë për ndihmën e shtetit të Kosovës

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli sot ka zhvilluar biseda telefonike me liderë shqiptarë që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, në lidhje me gjendjen e qytetarëve shqiptarë në kushtet e pandemisë me koronavirusin e ri Covid-19.

Lajme

13/04/2020 19:21

Ai përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, nga i cili është informuar në lidhje me masat e ndërmarra në përballimin e gjendjes me koronavirus.

Në bisedën me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, kryetari Veseli është njoftuar edhe për gjendjen e shqiptarëve dhe pakon gjithëpërfshirëse ekonomike që kanë miratuar për të shpëtuar ekonominë nga pasojat e COVID-19.

Postimi i plotë:

Sot zhvillova disa biseda telefonike me kolegë liderë shqiptarë që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, për t’u interesuar lidhur me gjendjen e bashkëkombasve tanë në kushtet e pandemisë së koronavirusit. Bisedova me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën i cili më tregoi për masat e rrepta që janë marrë dhe efektin e tyre.

Në bisedën që bëra me zv.Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, u njoftova edhe për gjendjen e shqiptarëve atje dhe pakon gjithpërfshirëse ekonomike që ata kanë miratuar për të shpëtuar ekonominë nga pasojat e kësaj situate emergjente. Bisedova edhe me Genci Nimanbegun që është nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi prej të cilit mësova se gjendja në këtë shtet është duke u menaxhuar relativisht mirë dhe se shqetësimi kryesor i shqiptarëve të atjeshëm është rrezikimi i sezonit të ardhshëm turistik prej pandemisë.

Së fundmi fola edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën si dhe me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin. Gjendja në Luginën e Preshevës është veçanërisht e rëndë dhe bashkombasit tanë atje janë të lënë tërësisht anash prej autoriteteve qendrore të Beogradit. Ajo që e bën akoma më dramatike gjendjen e tyre është fakti që dhjetëra mijëra shqiptarë atje, shërbimet shëndetësore mund t’i marrin vetëm nga një spital, ai i Vranjës, i cili është tashmë i tejngarkuar. Lugina e Preshevës ka nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shteti të Kosovës. /Lajmi.net/