​Universitetet e Kosovës letër UNESCO-s: Ja pse duhet të pranohemi!

27 universitete publike dhe private të Kosovës, bashkërisht ia kanë drejtuar një letër të fuqishme UNESCO-s dhe komisionarit Evropian për Shkencë, ku dëshmojnë arsyet praktike sesi Kosova po pëson nga mungesa e anëtarësimit në UNESCO.

Lajme

11/10/2015 18:54

Letra e nënshkruar nga rektorët dhe udhëheqësit e 4 universiteteve publike dhe të 23 kolegjeve private që veprojnë në Kosovë, i drejtohet anëtarëve të UNESCO-s, por edhe drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, me qëllim që të konkretizohet arsyeja e anëtarësimit të Kosovës.

Ndër të tjera, në letër përshkruhen edhe problemet që ka pasur profesori Qëndrim Gashi – një gjeni ballkanik i matematikës, për të aplikuar në fonde për një projekt shkëmbimi me matematikanë të famshëm.

Qendra për përkrahje të matematikës aplikative, CIMPA, që vepron në kuadër të UNESCO-s, ka refuzuar të përkrahë profesorin Gashi për shkak se Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s. Edhe një rast tjetër përshkruhet se si Kosova nuk ka arritur të marrë financa për reforma në arsim dhe kundër korrupsionit nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, sepse dy kushtet kryesore kanë qenë të ndërlidhura me qasje në statistikat e UNESCO-s.

Kështu, universitetet e Kosovës dëshmojnë se Kosova, me mospjesëmarrje në UNESCO, është e privuar nga dhjetëra fonde, programe, shkëmbime, gjë që e pengon zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe të ekonomisë.

Letra e universiteteve kosovare është dërguar në vigjilje të takimit të Bordit Ekzekutiv që do të mbahet më 12 tetor. Serbia ka ndërmarrë një fushatë që zëvendësministri i Kosovës, Petrit Selimi, e ka quajtur “të egër”, kundër anëtarësimit të Kosovës. Derisa kryeministri Vuçiq u ka dërguar letër anëtarëve të UNESCO-s, zëvendëskryeministri i Jashtëm, Thaçi, ka telefonuar gjatë vikendit shumë homologë për të siguruar votën e tyre.