​Shtëpia e Bardhë: SHBA po përgatitet për të gjithë skenarët e krizës ukrainase

Bota

24/01/2022 21:35

Shtetet e Bashkuara janë duke përshtatur dhe përsosur planet e tyre ushtarake për të gjithë skenarët e krizës ukrainase, tha sot Shtëpia e Bardhë, ndërsa Uashingtoni po shqyrton forcimin e forcave të NATO-s në Krahun Lindor të Aleancës, përcjell Reuters.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jean Psaki, tha se Shtetet e Bashkuara “kurrë nuk e përjashtuan opsionin e ofrimit të ndihmës për vendet në krahun lindor të NATO-s edhe para çdo pushtimi” të Rusisë në Ukrainë.

Presidenti Joe Biden u takua me ekipin e sigurisë kombëtare në rezidencën e tij në Camp David të shtunën, kur u informua për opsionet për vendosjen e trupave amerikane në Evropën Lindore në përgjigje të vendosjes së shtuar të forcave të armatosura ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Sipas Reuters, presidenti amerikan do të zhvillojë një video-takim të mbyllur nga Dhoma e Situatës në Shtëpinë e Bardhë mbi temën e krizës ukrainase me liderë të shumtë evropianë gjatë ditës së sotme.