Kryeshefi i Ujësjellësit Prishtina reagon: Të gjitha janë të pavërteta
Kryeshefi i KUR "PRISHTINA", Gjelosh Vataj ka reaguar pas vendimit të bordit, vendim i cili sipas tij është marrë pas udhëtimit zyrtar për në SHBA të organizuar nga ambasada Amerikane.

Lajme
Vataj në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se vendimi i bordit i cili është përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës, është i motivuar për interesa të ngushta te tyre sepse sipas tij “Janë në fund të mandatit dhe nuk po mund t’i kryejnë punët e tyre private”.
Me poshtë po e japim deklaratën e plotë të Kryeshefit të Ujësjellësit, Gjelosh Vataj të dhënë për Kosovapress, përmes telefonit:
Unë për momentin jam në udhëtim zyrtar që nga e diela më 9 gusht, trajnim të organizuar nga Ambasada Amerikane ne Prishtinë-International Visitor Leadership Program me tematikën ‘Modern and Sustainable Water and Energy Management’ dhe këtu do jem deri më 30 gusht.
Mbledhja është caktuar menjëherë pas fluturimit tim për në SHBA dhe kjo po shihet se ka pas një koordinim të veprimeve të disa anëtarëve të Bordit në mënyrë që të vijmë deri te kjo situatë.
Të premten kanë marrë një vendim të motivuar nga aspekti personal dhe privat (janë në fund të mandatit dhe nuk po munden t’i kryejnë punët e tyre private). Të gjitha pretendimet e Bordit janë të pavërteta dhe mund të vërtetohen me lehtësi por jo nga bordi, por nga një institucion i pavarur. Nuk mundet në njërën anë të shkarkohet Kryeshefi për performancë të dobët e në anën tjetër nga Bordi të merr bonus për performancë të mirë.
Unë nuk dua ta zgjasë por pas kthimit tim në Kosovë do të merrem me këto shpifje dhe akuza. Unë ftoi të gjithë të punësuarit e KUR “PRISHTINA” që të punojnë me zell e përkushtim në mënyrë që konsumatorët tanë të kenë shërbime sa më të mira, pa u ndikuar nga ky veprim i Bordit.
Unë i garantoj të gjithë qytetarët e Kosovës se asnjëherë nuk e kam shkel ligjin dhe nuk do ta shkeli për askënd qoftë edhe për Bordin e KUR “PRISHTINA”, thuhet në fund të deklaratës së Gjelosh Vatajt.
Bordi i KUR “Prishtina” të premten ka marrë një vendim me të cilin e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv Gjelosh Vataj dhe ka emëruar si ushtrues detyre drejtorin aktual financiar Selatin Ratkoceri. Ky vendim nuk është bërë zyrtarisht publik nga Bordi por vendimi është përfolur në media.
Bordi aktual i Ujësjellësit “Prishtina” përbëhet nga 4 anëtarë: Ejup Hashani, kryesues dhe Adem Duriqi, Bajram Jashari e Kujtim Xhelili, anëtar Bordi.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, në momentin e marrjes së vendimit kanë qenë prezent kryesuesi i Bordit Ejup Hashani, Adem Duriqi dhe Bajram Jashari.
Qeveria e Kosovës ka disa muaj që ka shpall konkurs për Borde dhe pas mbylljes së konkursit është në përfundim të procesit të përzgjedhjes së Bordeve të reja të cilat sipas deklaratave të mëhershme të Qeverisë priten te emërohen shumë shpejt.
Bordet janë me mandate 3 vjeçare, por Bordet aktuale janë t ë përzgjedhura që nga dhjetori i vitit 2008. Gjatë qeverisjes Thaçi janë shpallur disa herë konkurse për Borde të Ndërmarrjeve Publike , por asnjëherë nuk janë emëruar borde të reja në shumicën e kompanive të menaxhuara nga Qeveria e Kosovës. Pas skadimit të afateve, bordeve u është vazhduar afati me vendime nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.