Konjufca: Presidenti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka theksuar se me LDK-në kanë arritur marrëveshje për formatin e Qeverisë, por negociatat kanë ngecur te pozita e Presidentit, të cilën LDK e ka vendosur si kushtëzim.
Lajme
“Edhe pse në zgjedhje me Kushtetutë pozita e kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, kjo pozitë është e negociueshme, por Presidenti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm”, tha Konjufca në T7.
Ai ka thënë se negociatat kanë ngecë për shkak të kushtëzimeve nga LDK, pasi Vetëvendosje nuk ka kushtëzuar dhe nuk po kërkon pozitën e presidentit.
“Pozicioni i LDK-së është ky, pushteti tërësisht në mënyrë të barabartë, me ministritë. Albin Kurti kryeministër, pasi populli ka vendos, por pa kurrfarë llogaritje dhe pa kurrfarë kushtëzimi kryetarin e Kuvendit dhe Presidentit të Republikës LDK thotë na jepni neve”, tha ai.
Ai ka thënë për LDK-në se kjo parti politike nuk e ka kuptuar rezultatin e 6 tetorit dhe mendon e sillet sikur 6 tetori nuk ka ndodhur dhe mendon dhe sillet se LDK është e pazëvendësueshme.
“Kryeparlamentarin në rregull po e diskutojmë, por pse pozitën e Presidentit, pasi kjo pozitë nuk është legjislative”, tha ai dhe shtoi se Albin Kurti ka shpjeguar se kjo punë jo që nuk kushtëzohet, por ai ka shpreh edhe habinë e kushtëzimit të Isa Mustafës.
Ai ka thënë se marrëveshja për Qeveri është kryer, por ka ngecur të pozita e presidentit.
Konjufca ka thënë se LDK po kushtëzon sikur është duke bë marrëveshje me PDK-në dhe deklaroi se nëse kështu vazhdon, më mirë do të ishte të shkohej në zgjedhje.