​Izolimi mund të ketë shpëtuar jetën e tre milionë njerëzve në Evropë

Masat e izolimit në shkallë të gjerë, përfshirë mbylljen e dyqaneve dhe shkollave, kanë zvogëluar shkallën e transmetimit të koronavirusit të ri në Evropë për të sjellë përhapjen e tij nën kontroll dhe mund të kenë parandaluar më shumë se tre milionë vdekje, thanë sot shkencëtarët.

Lajme

08/06/2020 19:14

Në një studim mbi ndikimin e masave të izolimit në 11 shtete, shkencëtarët në Kolegjin mbretëror në Londër thonë se masat drakoniane, të prezantuara kryesisht në mars, kishin një efekt domethënës dhe ndihmuan në uljen e nivelit të riprodhimit të sëmundjes nën një deri në fillim të majit.

Shkalla e riprodhimit tregon se sa njerëz infektohen mesatarisht. Një normë më e madhe se 1 mund të çojë në një përhapje eksponenciale të infeksionit.

Shkencëtarët e Kolegjit mbretëror vlerësojnë se deri në fillim të majit, midis 12 dhe 15 milionë njerëzve ishin të infektuar në 11 vende: Austri, Belgjikë, Britani, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Norvegji, Spanjë, Suedi dhe Zvicër.

Duke krahasuar numrin e vdekjeve me numrin e vdekjeve të parashikuara nga modeli i tyre që nuk u vendosën asnjë masë, ata zbuluan se ishin parandaluar rreth 3.1 milionë vdekje.

Rezultatet e hulumtimit u kryen në revistën ‘Nature’, transmeton KosovaPress.

Një studim i dytë nga shkencëtarët amerikanë, të botuar gjithashtu në revistën ‘Nature’, vlerësoi se masat e izolimit në Kinë, Korenë e Jugut, Itali, Iran, Francë dhe Shtetet e Bashkuara parandaluan ose vonuan rreth 530 milionë raste të infeksionit.