​Erdogan heq imunitetin e deputeteve, rrezikohen ata kurdë

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka firmosur ligjin që u heq imunitetin deputetëve nga ndjekja penale

Bota

08/06/2016 18:47

Lajmi është bërë i ditur nga zyra e Presidentit dhe sipas kritikëve me shumë gjasa ky ndryshim kushtetues ka për qëllim goditjen dhe largimin e partisë opozitare prokurde nga parlamenti.

Erdogan ka akuzuar partinë e tretë më të madhe HDP, si mbështetëse të militantëve që kanë zhvilluar kryengritje prej tre dekadash në juglindje të vendit, zonë e populluar me shumicë kurde dhe për këtë arsye, ka kërkuar ndjekjen penale të HDP. Udhëheqësi i HDP, parti e cila mohon lidhjet me militantët e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, sfidoi ligjin dhe tha se ata nuk do të jenë pjesë e procesit gjyqësor të kontrolluar nga Erdogan.

“Ky ligj u miratua në kundërshtim me Kushtetutën. E drejta jonë për të apeluar është hequr. Teksa vendi po ecën drejt një regjimi diktatorial, ne nuk do të pranojmë të bëhemi pjesë e një gjykimi dëshirë vetëm e Erdogan. Prandaj nuk do t’i bindemi ftesës së prokurorit të Përgjithshëm për të dhënë një deklaratë në sallën e gjyqit. Nëse duan të na marrin me forcë, kjo është zgjedhja e tyre”, tha Selahattin Demirtas, kryetar i HDP-së.

Ligjvënësit deri tani gëzonin imunitet nga ndjekja penale. Ligji i ri lejon prokurorët të ndjekin penalisht secilin prej 138 anëtarëve të parlamentit që janë aktualisht nën hetim. 101 prej tyre janë anëtarë të HDP dhe partisë kryesore opozitare CHP.

Legjislacioni ka rritur shqetësimet në Bashkimin Evropian në kohën kur pritet miratimi I lëvizjes së lirë së qytetarëve turq në bazë të marrëveshjes me Ankaranë që synon frenimin e migracionit të paligjshëm në Evropë nga brigjet turke.