​Avokati i Nasim Haradinajt infektohet me koronavirus, kërkon shtyrje të procedurave gjyqësore

10:59 | 6 Dhjetor 2021

Mbrojtja e Nasim Haradinajt në Hagë, avokati Toby Cadman ka kërkuar të shtyhen procedurat aktuale të gjykimit meqë i njëjti ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Si pasojë e kësaj, ai nuk është sot në gjykatë por ka folur në seancë përmes një video-lidhjeje ku i ka kërkuar trupit gjykues që këtë javë të shtyjë procedurat derisa ai të flas me të akuzuarin dhe të marrë udhëzimet se si të vazhdohet tutje.

Në seancën e sotme gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, Cadman ka thënë se në situatën shëndetësore në të cilën ndodhet, nuk mund ta përfaqësojë siç duhet Nasim Haradinajn.

Për shkak të infektimit me Covid-19, ai ka bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontaktojë me Haradinajn.

“Në këtë fazë unë po kërkoj thjesht një shtyrje të përkohshme në mënyrë që të mund të kontaktoj me zotëri Haradinaj dhe në mënyrë që të marrë udhëzimet e plota nga zotëri Haradinaj nëse ai dëshiron që ne të vijojmë ose nëse është pro shtyrjes, pra kjo është një situatë e paparashikuar dhe është rrethanë përjashtimore. Zoti Haradinaj nuk është i pranishëm, ka qenë e pamundur të kontaktoj me zotëri Haradinaj dhe nëse zotëri Haradinaj do të jetë në gjykatë nesër, përkthyesi ynë dhe hetuesi nuk është në gjendje të jetë në gjykatë nesër për shkak të kohës që duhet të pres për testin PCR… Siç e dini edhe zotëri Haradinaj është në karantinë, nuk kam pasur mundësi të flas me zotëri Haradinaj gjatë fundjavës, kam kërkuar që të paktën të flas me të në telefon në mënyrë që të mund ta informoj për gjendjen time aktuale shëndetësore”, ka thënë Cadman.

Përveç avokatit Cadman, i gjithë ekipi mbrojtës i Haradinajt është lajmëruar në seancë përmes video-lidhjes.

Ndërsa prokuroria nuk ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt që i njëjti të mund të flas me të akuzuarin dhe të marrë udhëzimet nga ai.

Kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se sekretari do të organizojë mundësinë e komunikimit të avokatit Cadman me Nasim Hradinajn ndërsa seanca do të vazhdojë pas një ore pauzë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.