​​Basha: Këto nuk janë zgjedhje, nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht

22:28 | 26 Qershor 2019

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe se nuk mund të ketë konkurrencë në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës.

Në një dalje nga selia blu, kryetari i opozitës përshëndeti tërheqjen e Këshillit të Evropës nga monitorimi i 30 qershorit, ndërsa theksoi se partnerëve ua ka thënë të vërtetën, se votimi farsë do ta thellojë krizën.

Deklarata e Bashës:

Dua të përshëndes vendimin e Këshillit të Europës për t’u tërhequr nga monitorimi i farsës së 30 qershorit.

Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik. Është një vendim i pastër politik, një distanicm i prerë nga zgjedhjet fallco një partiake, nga organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Europë nga organizata kryesore që mbron të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe pavarësisë së pushteti lokal.

Këshilli i Europës ka qenë monitorues i zgjedhjeve lokale të vitit 2015, së bashku me OSBE/ ODHIR –in. Ditën e zgjedhjeve misionet e monitorimit të votimit ishin misione të përbashkëta të OSBE-së dhe mes Këshillit të Europës.

Këtë vit, Këshilli i Europës u tërhoq, për herë të parë në historinë e tij, nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.

Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit.

Tashmë po bëhen të qarta për të gjithë përmasat e skandalit kushtetues, ligjor dhe politik të 30 qershorit.

Qëndrimi i opozitës mbetet i prerë: Këto nuk janë zgjedhje. Ato nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht.

Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë ditët e fundit të gjithë komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht partnerëve që po përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike. U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin.

Basha: Ne do të bëjmë çdo gjë që aventura e Edi Ramës më 30 Qershor të ndalet, që farsa të mos ekzekutohet. Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk zhvillohen zgjedhje të lira, ku vidhen zgjedhjet, ku nuk numërohen votat.

Është i vetmi vend në botën normale, ku zgjedhjet vidhen me kriminelë haptazi dhe nuk ndëshkohet askush.

Ne e kemi bërë të qartë se pa ndëshkuar kriminelët që vodhën zgjedhjet dhe pa larguar Edi Ramën në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje të lira.

Edi Rama ka vendosur të vazhdojë aventurën e 30 qershorit. Të dielën në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje. Do të ketë një farsë.

Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo aventurë të ndalet, që farsa të mos ekzekutohet.

Regjimi i Edi Ramës po u bën presion gjithë punonjësve të administratës publike që të dalin në votime me çdo kusht dhe të marrin familjet. Është dhunim i lirisë, dhunim i vullnetit të lirë, dhunim i dinjitetit të njerëzve.

Drejtorët, ministrat dhe shefat kudo në administratë, tani kanë marrë vetë rolin e të fortëve dhe të kriminelëve, duke kërcënuar dhe detyruar shqiptarët për të votuar.

Edhe pse i vetëm në votime, edhe pse i ka vetë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit dhe anëtarët e KQZ-së, edhe pse mund të shënojë çfarë të dojë si numër pjesëmarrje dhe si rezultat votimi, Edi Rama nuk heq dorë nga dhuna dhe nga krimi. Tashmë ai po përdor direkt funksionarët shtetërore për të kërcënaur dhe dhunuar qytetarët dhe për të shpërndarë paratë e krimit për vota.

Ministrja e Mbrojtjes sot ka qënë në Peshkopi me makina ushtrie me targa fallco private për të shpërndarë para për të dalë në zgjedhje. Edhe Ministrja po bën atë që bëri bashkëshorti i saj. i kapur në përgjimet e Bild, bashkëshorti që i shpëtoi dekriminalizmit duke mos kandiduar më. I gjithë procesi në Peshkopi po drejtohet sërish nga Robert Aga, shefi i policisë që bashkëpunon me krimin e organizuar. Robert Aga duhet të ishte në burg për trafik droge dhe bashkëpunim me krimin për vota. Dhe do të shkojë shpejt./Ora News/