Zyrtari i BE-së që paralajmëroi vizat, nuk e ka në agjendë Kosovën

Komisionari i Bashkimit Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos në dhjetor të vitit të kaluar kishte dhënë lajmin se Gjeorgjia dhe Ukraina kanë përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave në zonën Shengen ndërsa për Kosovën kishte kërkuar edhe plotësimin e 8 kritereve shtesë.

Lajme

20/04/2016 13:20

Që nga ajo kohë Ministria e Integrimeve evropiane kishte nisur punën e saj për adresimin e këtyre kritereve, të cilat jo më larg se javën që lamë pas ministri Çollaku tha se tashmë janë plotësuar.

Megjithatë, komisionari Avramopoulos duket se nuk është ende i bindur për këtë gjë. Për këtë arsye, ai ende nuk e ka në agjendën e tij vizitën në Kosovë.

“Zëri.info” ka kontaktuar me zyrën e komisionarit Avramoupolus, për të pyetur nëse ai së shpejti pritet që të vizitoj Kosovën e pse jo të jap edhe lajmin e shumë pritur nga qytetarët e Kosovës për liberalizim.

Mirëpo, përgjigja që “Zëri.info” ka marrë është negative. “Komisionari Avramopoulos e ka agjendën e tij shumë të ngjeshur në ditët në vijim. Mirëpo ai nuk ka asnjë vizitë të konfirmuar për Kosovë aktualisht. Megjithatë në momentin kur vizita e tij në Kosovë të konfirmohet, ne do të ju njoftojmë menjëherë”, ka thënë Milica Petroviç, shefe e zyrës për informim të komisionarit Avramopoulos.

Vizita e komisionarit të BE-së, ishte paralajmëruar qysh në dhjetor të vitit 2015 për periudhën e hershme të këtij viti, por duket se ajo do të shtyhet për pjesën e dytë të vitit 2016.

Ndërkohë në vizitën e komisionarit Avramopoulos në Tiranë në mars të këtij viti ai e kishte pranuar se Kosova ka bërë përparime në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të fundit. Madje kishte paralajmëruar një vizitë të shpejtë në Kosovë.  “Ju e dini mirë që Kosova duhet të përmbushë disa standarde. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve që t’i përshpejtojnë përpjekjet për këtë gjë. Për ne situata në Kosovë është e rëndësishme. E kuptojmë që ajo është e etur të shohë sinjale të prekshme sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk kemi dërguar kurrë sinjale negative, përkundrazi. Jemi përpjekur që ta ndihmojmë Kosovën në përpjekjen që ka ndërmarrë për t’i përmbushur të gjitha këto kërkesa të njohura tashmë. Kam ndërmend të shkoj në Kosovë shpejt. Dëshira ime është që të ndihmoj. Por edhe të më ndihmojnë”, kishte deklaruar Dimitris Avramopoulos gjatë një konference në Tiranë.

Megjithëse vizita e tij ende nuk është konfirmuar, ministri i Intgrimeve Evorpiane, Bekim Çollaku pasi rikthimit të tij nga Strasbourgu ku kishte në vizitë zyrtare tha se Komisioni Evropian tashmë u ka thënë vendeve anëtare të BE-së, se Kosova ka përmbushur edhe rekomandimet e fundit. A do të kemi së shpejti një lajm edhe për Kosovën kjo mbetet të shihet në ditët në vazhdim kur edhe pritet të konfirmohet vizita e komisionarit Avramopoulos në Kosovë./Zëri/