Zoran Stavreski ka dhënë dorëheqje nga dy funksionet

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave në Qeverinë e Maqedonisë Zoran Stavreski ka dhënë dorëheqje nga dy funksionet.

Lajme

14/06/2016 15:24

Në kumtesën me të cilën ka bërë publik vendimin, Stavreski thotë se po tërhiqet nga Qeveria për arsye shëndetësore dhe me këshillë të mjekëve.

Stavreski, i cili ishte edhe kumbarë dhe “dora e djathtë” e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në Qeverinë e Maqedonisë bënte pjesë që nga viti 2006.

Ai ishte një nga protagonistët kryesorë të të ashtuquajturave “bomba”, respektivisht bisedave të përgjuara telefonike që gjatë vitit 2015 i publikoi opozita maqedonase.

Ndër më të cituarat janë thëniet e tij, gjatë bisedave me ministren e Brendshme Gordana Jankullovska, se Gruevski “është i çmendur” dhe se “shpenzojmë për çokollata, kurse s’kemi për bukë”.