Zhbogar: Dialogu me Serbinë nuk ka alternativë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, thotë se dialogu i Kosovës me Serbinë nuk ka alternativë, por kërkoi të ketë më shumë transparencë nga institucionet e Kosovës rreth këtij procesi.

Lajme

01/12/2015 13:34

Komentet e diplomatit evropian u bënë gjatë publikimit të raportit “Të Përçarë” të organizatave BIRN, Internews Kosova dhe ACDC që ka të bëjë me dialogun procesin e dialogut.

“Ne e kemi humbur edhe opozitën dhe situata është e këtillë. Edhe mungesa e transparencës i ka kontribuar kësaj situate ku gjendemi”, tha Zhbogar në konferencë.

Ai u shpreh se e ka parë që kryeministri Isa Mustafa është i interesuar ta përfshijë Kuvendin në diskutimet për dialogun.

Sipas tij, dialogu Kosovë- Serbi “nuk po bëhet për ta kënaqur BE-në”, si ndërmjetësuese në proces.

Ai tha se ky dialog synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

“Normalizimi duhet të trajtohet tash, e jo t’u lihet brezave te ardhshëm”, tha Zhbogar.

Zhbogar tha se rekomandimet e raportit të publikuar “do të jenë shumë të dobishme sa i përket reflektimit për të ardhmen e dialogut”.