“Zgjedhjet lokale do të verifikojnë ose do të demantojnë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare”

Dje (e enjte) partitë politike kanë bërë zyrtarisht hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale 2017.

Lajme

22/09/2017 09:50

Ndonëse zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit ishte plot tension, profesori i Gazetarisë, Milazim Krasniqi pret që zgjedhjet lokale të jenë të qeta dhe me më pak tensione.

“Zgjedhjet lokale zakonisht janë specifike kanë më pak tensione, më shumë fokusim në komunitet edhe në nivelin familjar të komunikimit. Prandaj si të tilla, logjikisht, duhet të jenë më të qeta se zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Në anën tjetër, profesori thotë se gradualisht në Kosovë po krijohet një traditë që fushata sa do që kanë tensione megjithatë, janë të rregullta dhe janë brenda aspekteve ligjore, nuk ka dhunë andaj këtë e vlerëson traditë të mirë që po krijohet.

Krasniqi thotë, se zgjedhjet lokale ose do ta verifikojnë rezultatin hutues të zgjedhjeve parlamentare ose do ta demantojnë.

“Sa i përket parashikimeve, rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit ka qenë bukur hutues në rezultatin final. Disa parti kanë pasur pritshmëri më të larta dhe kanë marr më pak, disa kanë marr më shumë se sa që kanë pritë. Kështu që, tani është momentumi që ose do të verifikohet ky trend i ndryshimit në skenën politike të fuqisë së partive ose do të demantohet, në kuptimin që do të duket si diçka që ka qenë vetëm një trend i momentit. Pra, zgjedhjet janë brenda standardëve llogaritet që të jenë të qeta”, deklaroi ai.

Profesori tha në vazhdim, se është e përfshirja e personave të rinj në lista për kryetar komunash dhe për asamble dëshmon se disa prej partive politike po thellojnë procesin e reformimit.

“Ajo që unë kam vërejtur në listat për kryetar komunash dhe për asamble është që ka një numër shumë të madh të emrave të rinj, veçmas në asamble. Kjo dëshmon që disa prej partive kanë zgjedhur që të  thellojnë një proces të reformave në një mënyrë pak më të heshtur, përmes verifikimit të kandidaturave në zgjedhje. Besoj që është një rrugë e mirë për të filluar një rrugë të reformimit të cilin shumica e partive veçmas partitë e mëdha dhe tradicionale, siç është PDK dhe LDK, kanë shumë nevojë”, ka thënë fund Krasniqi për lajmi.net. /Lajmi.net/