Zëvendësministri Nikolçeviq vizitoi Ranillugun dhe Parteshin (Video)

Zëvendësministri i sapoemëruar i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Slaxhan Nikolçeviq, dhe Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), kanë vizituar të mërkurën komunën e Ranillugut dhe të Parteshit, ku janë njohur  më për së afërmi me problemet që kanë këto dy komuna në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Lajme

09/12/2015 19:36

Nikolçeviq tha se ka zgjedhur të vizitojë të parat këto dy komuna, menjëherë pas marrjes së detyrës, pasi ato janë komuna të reja.

“Dhe kemi vërejtur se ato kanë problemet më të mëdha sa i përket çështjeve me të cilat merret kjo ministri”.

Ai premtoi se MMPH-ja në vitin 2016 do të angazhohet në zgjidhjen e problemeve që u ngritën nga krerët e këtyre dy komunave, të banuara me popullatë shumicë serbe.

Njëri ndër shqetësimet që u ngrit nga gazetarët ishte eksploatimi i egër i lumit Morava, i cili kalon nëpër këtë komunë, raporton lajmi.net.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Morina, tha se qysh nesër do t’i dërgojë inspektorët e AMMK-së për incizimin e gjendjes dhe nëse gjendet ndonjë kompani që operon pa leje, ajo do të mbyllet menjëherë.

“Jo vetëm në Ranillug, por në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ne do të marrim masa menjëherë në momentin që dëgjojmë se dikush është duke e shkatërruar natyrën”, theksoi Morina.

Ai përmendi se rregullimi i shtratit të lumit Morava është një ndër prioritetet e MMPH-së, për shkak të sipërfaqeve të mëdha bujqësore që humbin gjatë vërshimeve.

Sipas tij, në këtë takim, gjithashtu u bisedua për çështjen e ndërtimeve ilegale, si dhe problemin e tjetërsimit të tokave bujqësore.

Kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, duke përshëndetur këtë vizitë, tha se kjo është mënyra si duhet të identifikohen problemet dhe më pas me angazhim të përbashkët ato të zgjidhen./lajmi.net

Nikolçeviq dhe Morina vizitojnë Komunën e Ranillugut from Ekonomia Online on Vimeo.