Zbulohet mënyra e futjes së gazit lotsjellësit në Kuvend (Foto)

Burime brenda Policisë së Kosovës tregojnë për lajmi.net, se mënyra e futjes së bombolave me gaz lotsjellës nga deputetët e opozitës në ambientet e Kuvendit, pa u vërejtur, po bëhet përmes nxjerrjes së bombulës plastike të gazit prej kanistrës metalike.

Lajme

23/10/2015 19:46

Në këtë mënyrë, bombola është zhveshur prej pjesëve metalike, duke e bërë të padallueshme prej skanerëve me rreze X të vendosur në hyrje të Kuvendit të Kosovës. Kjo është mënyra sesi deputetet e opozitës po e evitojnë sistemin e monitorimit, i cili reagon vetëm në gjësende metalike.

Javën e kaluar, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, deklaroi se granatat me gaz lotsjellës i kanë futur nëpërmjet policisë, duke u përpjekur që të jepte përshtypjen e pasjes së bashkëpunëtorëve në organet e sigurimit, mirëpo me sa duket ekspertiza dhe eksperienca luftarake e disa prej figurave të opozitës ka qenë ajo që ka mundësuar futjen në Kuvend të bombolave me lotsjellës.

Në radhët e opozitës ka shumë deputetë që kanë një të kaluar që mund të shërbejë në të tilla rrethana, duke nisur nga deputeti Rexhep Selimi, i cili dikur ka qenë ministër i Brendshëm në Qeverinë e Përkohshme të pasluftës dhe pasuar mandej edhe me dy ish-komandantë, që tash janë liderë partish, Limaj dhe Haradinaj. /lajmi.net