Zbatojeni marrëveshjen

Sipas Rasmussen, zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të vazhdojë dhe se NATO e KFOR’i kanë një rol kyç në zbatimin e saj.

Lajme

12/10/2013 08:15

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen ka porositur Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve të arritur në prill të këtij viti.

Këto komente, Rasmussen i bëri gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO’s e cila po i zhvillon punimet në Dubrovnik.

Në këtë sesion po merr pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Hailiti.

“Marrëveshja Beograd- Prishtinë paraqet një hap tjetër të rëndësishëm në normalizimin e raporteve në mes të këtyre dy vendeve. Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të vazhdojë. NATO dhe KFOR’i kanë një rol kyç në zbatimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë Anders Fogh Rasmussen gjatë fjalimit të tij.

Ai ka deklaruar se qoftë në Kosovë, Libi apo në Afganistan forcat ushtarake të udhëhequra nga NATO-ja me aftësinë e tyre kanë mundësuar dhënien fund të dhunës dhe gjakderdhjes.

Po ashtu forcat e NATO-s, sipas tij, kanë kontribuar në stabilitetin e këtyre vendeve.

“Gjatë dekadës së fundit, Kroacia ka ecur përmes dyerve të hapura të NATO-s, siç kanë vepruar edhe Shqipëria dhe Sllovenia”, ka thënë Rasmussen.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se dyert e NATO-s janë të hapura edhe për Bosnjë Hercegovinën, Malin e Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të  Maqedonisë, nëse ato demonstrojnë një vendosmëri të re për të tejkaluar mosmarrëveshjet e vjetra.