Ymeri: Pengimi i pranimit në UNESCO na tregon se nuk duhet të sillemi but me Serbinë

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke komentuar dështimin e pranimit të Kosovës në UNESCO, ka thënë se kjo nga tregon më së miri se sa më urtë të but të sillemi ndaj Serbisë, ajo aq më egër sillet ndaj nesh.

Lajme

09/11/2015 14:38

“Mospranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO është një lajm i keq për ne dhe njëkohësisht indinjues. Fatkeqësisht Asambleja e kësaj agjencie të OKB-së, agjenci kjo që është e thirrur t’i mbrojë dhe çojë përpara vlerat e të drejtat universale për zhvillim kulturor e arsimor të popujve, sot vendosi bazuar në partikularitetin e interesave të ngushta mes shteteve të caktuara dhe avancimit hegjemonist të Serbisë dhe Rusisë”.

Ymeri tutje ka thënë se ofensiva diplomatike e Serbisë për të penguar pranimin e Kosovës në UNESCO, na tregon se këtë vend e kemi armik.

“Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar”.

“Sa më të urtë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, aq më e egër ajo ndaj nesh. Prandaj me të nuk mund të merremi vesh e të dialogojmë pa ndryshuar thelbësisht njëherë ajo. E, aq më pak t’ia plotësojmë kërkesat në Kosovë. Megjithë rezultatin negativ për Kosovën gjejmë rastin të falenderojmë përzëmërsisht Republikën e Shqipërisë, Ministrat Bushati e Kumbaro, si dhe vendet mike që sinqerisht e mbështesin Kosovën”.