Walker: Kam pritë më shumë nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë
Ish ambasadori i OSBE-së William Walker, ka thënë se Kosova nuk ka ecur në drejtimin e duhur. Ai një ligjëratë në kolegjin AAB, ka thënë se pritjet e tij për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë kanë qenë shumë të larta.
Lajme
“Kam qenë këtu në Kosovë kur është shpallur pavarësia, mirëpo pritjet kanë qenë shumë të larta. Pritjet kanë qenë të larta, mirëpo ende ekziston shpresa për të shkuar Kosova në rrugën e duhur. Ajo çka më inkurajon mua është arsimi universitar siç është AUK dhe AAB, me një rini të shkëlqyer që ka Kosova në studime”, tha Walker.
Ndërsa tha se në fushën e ekonomisë dhe mirëqenies nuk është bërë sa duhet.
“Do të isha i befasuar sikur ju studentët pas diplomimit do t’iu pret puna me një pagë të lartë”, u shpreh Walker.
Ai tha se më së paku ka pasur përparim nga klasa politike.
“Unë nuk dua të vdes pa e parë Kosovën ashtu siç kam dëshiruar”, tha Walker në ligjëratën e mbajtur për vendin dhe rrjedhën e karrierës së studentëve në Kosovë.
AAB në anën tjetër në këtë ceremoni solemne ndau Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.
Prorektori i AAB-së Hasan Salihu, i cili i ndau çmimin ish ambasadorit Walker, tha se AAB ndan këtë çmim për kontributin e jashtëzakonshëm për sensibilizimin ndërkombëtar të Kosovës në vitin 1998 që bëri një kthesë të madhe për vendin.