VV dënon sulmin ndaj kafiterive, por jo edhe ndaj objektit të qeverisë

Dhuna që ka ndodhur gjatë protestës nuk ishte pjesë e skenarit të protestës së sotme ka thënë Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi. Ajo ka dënuar sulmin ndaj lokaleve private, por jo edhe ndaj objektit të qeverisë.

Lajme

24/01/2015 18:00

Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas dhunës së shkaktuar nga disa protestues. 

Përmes një reagimi Vetëvendosje ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur nuk ka qenë pjesë e skenarit. 

VV ka dënuar sulmin që është bërë lokaleve private, por jo edhe objektit të qeverisë. 

“Ato që kanë ndodhur jashtë marshit dhe skenarit për të cilin ishim dakorduar nuk janë pjesë e protestës. Një grup i vogël njerëzish në protestë nuk e kanë respektuar skenarin tonë dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat nuk pajtohemi. Po ashtu dënojmë ashpër dëmtimin e lokaleve private në shesh”. 

“Gjithashtu, duam të potencojmë që dy protestuesit e arrestuar nga Policia e Kosovës nuk janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e VV-së. 

Ndërsa, në anën tjetër, Policia përmes një reagimi ka demantuar VV-në, duke thënë se organizatorët, nuk kishin kërkuar shpërndarjen e protestuesve. (lajmi.net)