Vuçiq: Sulmuesit e furrave shqiptare janë arrestuar

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha sot se sulmuesit e furrave të bukës në Serbi, me pronarë shqiptarë dhe goran, nuk janë një organizatë serioze, por sulmues, kryesisht të mitur dhe të rinj. Por ata sipas tij ata janë arrestuar dhe shum shpejtë do të dalin para drejtësisë.  

Lajme

21/10/2014 14:51

Vuçiq ka thënë se ata tanimë janë zbuluar dhe janë arrestuar.  “Disa prej tyre kur kryen sulmet ishin të dehur”, ka thënë Vuçiq në një konferencë shtypi, transmeton lajmi.net raportimet e mediave serbe.

Sipas kryeministrit serb, pronarët e furrave të bukës janë qytetarë të ndershëm dhe të përgjegjshëm të Serbisë, të cilët paguajnë taksa për shtetin.

Vuçiq tha se sulmet mbi furrat shqiptare dhe gorane kanë nxitur urrejtje edhe ndaj serbëve në Kosovë, dhe për këtë arsye organet e rendit në Serbi kanë reaguar shpejtë që të nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit.

“Shteti ka bërë gjithçka që ka mundur për të arrestuar të gjithë autorët. Të gjithë janë në paraburgim dhe do të përgjigjen. Kjo është përgjigja më e mirë e shtetit për ata që duan që të përhapin urrejtje dhe dhunë”, ka thënë Vuçiq. (lajmi.net)