Vrulli Europian i Kosovës

Stefan Fule konfirmon nisjen e negociatave për MSA me Kosovën më 28 tetor. Ai thotë se kjo është njohje e përmbushjes së reformave nga ana e Kosovës.

Lajme

16/10/2013 12:28

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule ka konfirmuar sot se 28 tetori do të jetë data kur Kosova dhe BE do të nisin nj fazë të re në marrëdhëniet e tyre- atë të negociatave për Marrëveshjen Stabilizim- Asocim.

File ka paraqitur sot në Bruksel Raportin e Progresit për Kosovën, si dhe për shtetet tjera të Ballkanit, ku është shprehur se hapja e negociatave për MSA me Kosovën paraqet njohje për përmbushjen e reformave afatshkurta të vendit, të përcaktuara vitin e kaluar.

“Ne do t’i fillojmë negociatat për MSA me Kosovën më 28 tetor dhe synojmë që këto negociata të përmbyllen në verë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Fule para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian.

“Marrëveshja historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konfirmon fuqinë transformuese të politikës së zgjerimit të BE’së”.

“Kosova ka bërë përpjekje në çështjen e liberalizimit të vizave dhe ne synojmë një raport për këtë çështje në pjesën e parë të vitit 2014”.

“Hapja e negociatave për MSA me Kosovën paraqet një progres dhe njohje për përmbushjen e reformave afatshkurta të Kosovës”.

Në raportin e sivjetmë, Komisioni Europian ka ardhur në përfundim se gjatë 12 muajve të kaluar, perspektiva evropiane e Kosovës “ka marrë një vrull të konsiderueshëm”.

“Kosova ka qenë e angazhuar në dialogun me Serbinë, dialog i lehtësuar nga BE, dhe ka realizuar reformat e rëndësishme në politika, të cilat ishin identifikuar në studimin e fizibilitetit të vitit 2012. BE-ja i ka vlerësuar këto përpjekje përmes pajtimit për të filluar negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Asocimi me Kosovën”, thuhet në raport.

Raporti i Progresit për Kosovën, i publikuar sot, është pjesë e Pakos për Zgjerim 2013 e miratuar nga Komisioni Evropian më 16 tetor.

Në kriteret politike, raporti thekson se Kosova ka rritur kapacitetin e saj për të adresuar prioritetet e procesit të integrimit evropian përmes ndjekjes së prioriteteve afatshkurtra të identifikuara në studimin e fizibilitetit (sundimi i ligjit, administrata publike, mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia) dhe përmes përgatitjes për negociata të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim.

“Në kontekstin e dialogut për liberalizimin e vizave, Kosova ka ndryshuar dhe ka miratuar një legjislacion të rëndësishëm, përfshirë këtu ligjin për azil, ligjin për financim të partive politike dhe ligjin për trafikim me qenie njerëzore. Në janar kanë hyrë në fuqi ligji për gjykata dhe ligji për prokurori, të cilët kanë paraqitur struktura të reja të gjykatës dhe prokurorisë”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër, raporti thotë se nevojiten përpjekje të mëtejshme në implementimin e kornizës ligjore, veçanërisht në fushën e tregtisë konkurrencës dhe tregut të brendshëm.

“Kosova duhet të shtojë përpjekjet e saj në luftimin e tregtisë ilegale dhe therjen e kafshëve. Ajo duhet të fuqizojë kontrollimin e tregjeve të blegtorisë dhe duhet të përmirësojë statistikat afariste dhe të përmirësojë sigurinë e ushqimit dhe kontrollet fito-sanitare. Në sektorin e energjisë, përpjekjet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A duhet të rriten”, thotë raporti.