Vrasja e ekstremistit grek nga RENEA: Rama i kundërpërgjigjet Greqisë

Ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama për vrasjen e shtetasit grek, i cili mbeti viktimë pas përplasjes me armë mes tij dhe forcave RENEA, të cilët iu kundërpërgjigjën pas plumbave breshëri që ai lëshoi në drejtim të tyre.

Lajme

28/10/2018 20:24

“Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falënderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ky reagim erdhi pasi,  Ministria e Jashtme greke ndër të tjera kërkon nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 35-vjeçarit grek.

“Është e papranueshme që të arrihet në një pikë humbjeje të jetëve njerëzore. Ne presim që autoritetet shqiptare të sqarojnë plotësisht rrethanat në të cilat ky qytetar grek ka humbur jetën dhe do të ndërmerren menjëherë veprimet e nevojshme”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Ndryshe, sot gjatë ditës, pas thirrjeve për tu dorëzuar, 35-vjeçari grek Kostandinos Kaçifas, ka qëlluar sërish në breshëri ndaj policisë, gjë që ka bërë që edhe policia të kundërpërgjigjet.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe 35-vjeçarit, ka humbur jetën ky i fundit.