Vrasja e Bledar Terpollarit, Gjykata vendos arrest me burg pa afat për dy shqiptarët

Gjykata e Igumenicës ka vendosur arrest me burg pa afat për dy shqiptarët e arrestuar për vrasjen e Bledar Terpollarit tre javë më parë.

Lajme

31/05/2016 20:15

Njëri prej të arrestuarve është dëshmitari që ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, Emiljano Nana 28 vjeç, kurse personi i dytë i arrestuar është Pajtim Jaupaj 28 vjeç.

Mandat-arresti ka dhe për një person të tretë që është në kërkim dhe besohet se ndodhet në Shqipëri. Ai është kushëriri i viktimës Bledar Terpollari, i cili është i përfshirë në vrasje.

Nuk është përcaktuar ende dhe nuk është shumë e qartë nëse dëshmitari Emiljano Nana ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vrasjen mizore.

Dy të ndaluarit kanë treguar se vetëm njëri prej shqiptarëve, i shpalluri në kërkim ka bërë krimin. Ai ka hyrë në kasolle dhe dy të tjerët, të arrestuarit, kanë qenë jashtë kasolles kur kanë dëgjuar një të shtënë.

Më pas trupin e të riut e ka nxjerrë jashtë dhe me një thikë që kishte me vete i kishte prerë kokën.