Vota për Kosovën në UNESCO, testi serioz i Zaevit ndaj shqiptarëve

Në nëntor të vitit 2015, Kosova në mungesë të tri votave ka dështuar të anëtarësohet në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO, proces të cilin e pengoi Serbia. Debati për anëtarësimin e Kosovës është duke vazhduar ende, ndërsa Serbia vazhdon të bëjë propagandë që Kosova të mos anëtarësohet. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Maqedonia do të abstenojë nëse do të vijë deri tek votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev, në të kaluarën ishte kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Mirëpo, analistët politikë shqiptarë në Maqedoni, kanë vlerësuar se tani qëndrimi i Kryeministrit, Zoran Zaev, do të ndryshojë dhe vota do të shkojë në të mirë të shqiptarëve nga Kosova.

Lajme

30/08/2017 08:59

Politologu, Xhenis Sulimani, ka bërë lidhjen e Serbisë me ngjarjen e dhunës në Kuvendin e Maqedonisë. Sipas Sulimanit, Serbia nuk pajtohet me ndryshimin e qeverisë në Maqedoni dhe për këtë me incidente sikur dëshiron t’i tregojë Shkupit zyrtar se ajo ka faktor kyç në Ballkan. “Serbia duke dashur ta mbulojë skandalin e saj në përfshirjen e terrorit të 27 prillit në Kuvendin e Republikës se Maqedonisë, po tenton të krijojë “luftë diplomatike”. Serbia nuk po mund të pajtohet me ndryshimin e garniturës qeveritare në Maqedoni, për faktin se me qeverinë e kaluar qëndronte shumë mirë, në një linjë më Moskën. Tani me incidente sikur do t’i tregojë Shkupit zyrtar se Serbia ka faktor kyç në Ballkan. Por kjo nuk kalon!”, ka thënë Sulimani për “Bota sot”.

Ndërsa, analisti politik Zudi Xhelili, ka pohuar se Serbia dëshiron t’i komplikojë marrëdhëniet në mes rajoneve. Sipas Xhelilit, deklarimi i kryeministrit  Zoran Zaev, ka qenë vetëm sa i përket anëtarësimit të sivjetmë. Ai ka pohuar se Maqedonia gjithmonë do të ketë përkrahje ndaj shqiptarëve. “Nuk besoj se në Maqedoni ka ndryshuar diçka sa i përket njohjes së Kosovës dhe përkrahje për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare. Deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, ishte se nuk ka aplikim sivjet të Kosovës për në UNESCO. Maqedonia është edhe shtet shqiptar dhe gjithmonë do e mbështesë Kosovën. Duhet t’i kuptojmë deklaratat e zyrtarëve serbë si tendenca për të futur huti në marrëdhëniet mes popujve fqinje që  të komplikohen raportet”, ka theksuar Xhelili.

Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-së, në vitin 2015 kishte votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara për arsim, kulturë dhe shkencë. Nga 142 anëtarë, 92 votuan pro Kosovës, 50 kundër dhe 29 shtete abstenuan. Kosovës i janë dashur edhe 3 vota për, në mënyrë që të jetë anëtare e UNESCO-s. Në mesin e vendeve që kishin votuar pro votimit të Kosovës, ishte Maqedonia, atë kohë e udhëhequr nga Kryeministri i cili kishte qëndrime anti shqiptare Nikolla Gruevksi. Tani me ndryshimin e qeverisë, qeveri kjo e cila është formuar falë votave shqiptare, Zoran Zaev, nuk kishte përjashtuar mundësinë që Shkupi të ketë qëndrim neutral lidhur me këtë çështje. ““Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të këtilla, si kjo për anëtarësim në UNESCO, për mbrojtjen e objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk guxon të marrë anë, sidomos kur bëhet fjalë për dy vende fqinje, pasi kjo punë nuk varet nga Maqedonia. Lidhur me këtë rast, Maqedonia do të qëndrojë neutrale…unë shpresoj në mirëkuptimin e Kosovës dhe të Serbisë”, kishte deklaruar Zaev. Analistët politikë, janë shprehur se qeveria e Zoran Zaevit është formuar falë shqiptarëve, prandaj në asnjë mënyrë nuk guxon të marrë vendim pa pëlqimin e tyre. Sipas tyre, secili Kryeministër i Maqedonisë duhet të votojë ashtu siç përcaktohen partitë shqiptare. Politologu Xhenis Sulimani, ka theksuar se një abstenim i Maqedonisë në UNESCO për anëtarësimin e Kosovës, do të nënkuptonte debakël për Zaevin dhe partnerët e tij shqiptarë. Sipas Sulimanit, vota për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është matësi më i mirë i sinqeritetit të Zoran Zaevit. “Qeveria e Zoran Zaev në Maqedoni mori “aminin” nga shqiptarët. Pa shqiptarët, Maqedonia me Gruevskin do merrte rrugën drejt Moskës bashkë me Serbinë. Nisur nga ky fakt, Zaev në asnjë mënyrë nuk guxon të merr vendim pa pëlqimin e shqiptarëve në qeveri, qoftë për politikë të brendshme, qoftë asaj të jashtme. Një abstenim i Republikës së Maqedonisë në UNESCO për anëtarësimin e Republikës së Kosovës, do të nënkuptonte debakël për Zaev dhe partnerët e tij shqiptarë. Mendoj që ky moment- vota për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO- është matësi më i mirë i sinqeritetit të Zoran Zaev ndaj shqiptarëve. Shqiptarët janë etnia e dytë në vend, nëse Maqedonia nuk voton pro Kosovës, që tanimë e njohim më shumë se 2/3 e vendeve të botës, është mosrespektim i shqiptarëve të Maqedonisë” ka shtuar Sulimani. Kurse, analisti Zudi Xhelili, është shprehur se Maqedonia duhet të tentojë t’i ruajë raportet e mira me gjithë fqinjët, por jo të anashkalojë interesin shqiptar. “Çdo kryeministër i Maqedonisë do të votojë ashtu si do të përcaktohen partitë politike shqiptare kur është  në pyetje Kosova! Normal që Maqedonia do të  tentojë të ruajë raporte të mira me të gjithë fqinjët,  por jo të anashkalojë interesin shqiptar” ka pohuar Xhelili.

Kronika – Faza e re e dialogut me probleme të vjetra/Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, gjatë kësaj jave, pritet të takojë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të çuar përpara dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe të shkëmbehen ide për atë se si do të duhej të vazhdonte ky dialog. “Do të bisedohet për modalitete se si do të vazhdojë dialogu dhe si do të duket dialogu në të ardhmen”, tha Arifaj. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, vazhdimin e dialogut dhe takimet ndërmjet presidenteve i shohin si të rëndësishme. Ministrja për Dialog në Qeverinë në largim të Kosovës, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i këtyre takimeve ndodh për faktin se disa nga marrëveshjet e arritura mes dy vendeve kanë ngecur në zbatimin e tyre nga ana e Serbisë. Sipas saj, Serbia është përgjegjëse për bllokimin e rreth tetë marrëveshjeve. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka gjashtë vjet që është duke vazhduar dhe gjatë këtij procesi janë arritur rreth 38 marrëveshje. Tahiri thotë se disa nga marrëveshjet kanë ngecur në procesin e zbatimit, kurse disa të tjera nuk kanë nisur fare të zbatohen. “Serbia është bllokuese për këto marrëveshje, por në përgjithësi ky dialog ka dhënë rezultate edhe ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet tri palëve, pra edhe Kosovës dhe Serbisë edhe Bashkimit Evropian”, tha Tahiri. Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri vlerëson se tani dialogu duhet të hyjë në fazën përfundimtare dhe të përmbyllet me njohje reciproke ndërshtetërore. “Mendoj që paqja mes dy kombeve të mëdha në rajon, shqiptarëve dhe serbëve mund të arrihet, në qoftë se ndodh njohja reciproke, përkatësisht të ndodhë vetëdijesimi i Serbisë që pas luftës dhe gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, mënyra e kërkimit të faljes është njohja e shtetit të Kosovës dhe mbyllja përgjithmonë e konflikteve dhe armiqësive”, tha Tahiri. Nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se vazhdimi i dialogut është një përkushtim i të dy presidentëve, por siç thonë ata, tash për tash nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje konkrete. Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se bisedimet mes dy vendeve do të vazhdojnë edhe për një kohë, dhe se ai nuk pret që në një afat të shkurtë kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë. “Mund të ndodhë që në një formë Serbia të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë në kuptimin e një shteti të ri dhe mospengimin e këtij shteti për të shkuar përpara, por unë nuk besoj se brenda një kohe të shkurtër mund të ndodhë njohja faktike e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Mushkolaj. Në takimet e fundit, presidentët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kanë rënë dakord se do të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Thaçi e Vuçiq janë pajtuar që të formohen ekipet punuese dhe të nisin përgatitjet për këtë çështje. Ministrja në largim, Tahiri thekson se për fazën e re të dialogut duhet të ketë grup gjithëpërfshirës. “Duhet të ketë një ekip të spektrit të gjerë. Arsyeja është se faza përmbyllëse është faza më e rëndësishme, prandaj duhet të kemi një legjitimitet me bazë më të gjerë të përfaqësimit në raport me ketë dialog”, tha ajo. Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave. Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takime në nivele të larta politike gjatë muajve shkurt dhe korrik. Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka thënë në Konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian se Ballkani është “prioriteti i katërt” i Bashkimit Evropian, ku BE-ja “mund të humbë më tepër dhe të fitojë më tepër”.