Video-skandali, arrestohet Shukri Xhelili

Gjykata e Peshkopisë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të arrestuar ish-kryebashkiakun e Dibrës, Shukri Xhelilin. Ky i fundit është vënë në pranga, pak ditë pas video-skandalin ku i kërkonte favore seksuale një vajze.

Lajme

16/05/2016 21:10

 

Ish-kryebashkiaku po hetohej në gjendje të lirë, pasi akuzohej për tre vepra penale: “Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën”, e mbetur në tentativë, “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në video-skandalin e transmetuar në televizionin “Ora News”, të enjten në mbrëmje, Xhelili i kërkonte favore seksuale një vajze 20-vjeçare për një vend pune.

Në videon e transmetuar, pasi i firmos kontratën, Xhelili dhe vajza takohen në Tiranë dhe shkojnë në një hotel në kryeqytet, mirëpo vajza, që kishte regjistruar gjithçka me kamerë, refuzon të kryejë marrëdhënie seksuale duke u larguar nga hoteli në momentet e fundit.

Ndërkohë, të afërm të vajzës së përfshirë në skandalin e videoregjimit thonë se ndjehen të kërcënuar dhe se kanë ndërmend të largohen nga Peshkopia.