Vetëvendosje vë si kusht kornizën e saj politike për koalicionin opozitar

Njëri prej liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se kanë përafruar qëndrimet me partitë e bllokut opozitar, por që ka ende punë për t’u bërë.

Lajme

19/06/2014 22:53

Sipas Konjufcës, VV-ja kërkon që subjektet tjera të pajtohen me kornizën politike të Vetëvendosjes.

“Zoti Haradinaj tha që janë përafruar qëndrimet, por ka ende punë për t’u bërë dhe ne mendojmë që do të ishte shumë mirë që të kalojmë fazën e tretë, pasi subjektet politike të pajtohen me këtë kornizë politike të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Konjufca në një intervistë në televizionin Rrokum.

Konjufca tha se partitë e bllokut opozitar u ngutën pak me ndarjen e posteve. Praktikë e tillë, sipas tij, është realizuar në të kaluarën, ndërkohë që ky bllok synon të sjellë një politikë ndryshe.

“Janë ngutur pak, sepse ne po mundohemi të sjellim në Kosovë një mentalitet tjetër politik”, tha ai.

Siç dihet, Vetëvendosje ndër kushtet për koalicion apo mbështetje të atij koalicioni opozitar kërkon pezullimin e bisedimeve me Serbinë, mosformimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, ndërprerjen e privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës, si dhe mandat vetëm dyvjeçar për qeverinë.

Mësohet se këto kushte Vetëvedosje i ka dorëzuar me shkrim edhe në takimin e sotëm të zhvilluar në selinë e Ramush Haradinajt, ku ishin edhe Albin Kurti, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj.