Vetëvendosje nuk votoi sepse dështoi marrëveshja me bllokun opozitar

Glauk Konjufca, i cili u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e deputetëve të Vetëvendosjes, pas përfundimit të seancës së sotme konstituive të Kuvendit sqaroi pse subjekti i tij politik nuk e votoi Isa Mustafën.

Lajme

17/07/2014 17:27

Sipas Konjufcës, “Vetëvendosje nuk e ka mbështetur Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit, kurse arsyeja është se partitë opozitare kishin ndryshuar mendje sot në mëngjes dhe kjo është arsyeja pse ne abstenuam në zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit. Vetëvendosje pati shpjeguar se edhe vota për kryeparlamentarin hyn në kuadër të pakos së marrëveshjes së përgjithshme, e cila ishte duke u negociuar me LDK, AAK dhe Nisma”.

Si njofton KosovaPress, Konjufca tha se marrëveshja me bllokun opozitar dështoi sot në mëngjes dhe se për këtë arsye vetëvendosje nuk votoi.

Megjithëkëtë, ai pohoi se shpreson në arritjen e një marrëveshje me bllokun opozitar.

“Edhe pse sot në mëngjes u vërejt se mospajtimet po vazhdojnë, megjithatë mundësia është e hapur dhe Vetëvendosje do të vazhdojë të negociojë me bllokun trepalësh dhe ne kemi ende shpresa të mëdha se ende ka mundësi. Gjasat janë tepër reale dhe jam shumë optimist se një marrëveshje është e mundshme të realizohet”, tha ai, duke shtuar se hapësirë më të madhe ka për arritjen e një marrëveshje sesa për zgjedhje të reja. (Kosovapress)