Veteranët me parti, nëse s’miratohet ligji deri në mars

Muharrem Xhemajli thotë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton Ligjin për Luftën e UÇK’së deri më 10 mars, do të protestojnë, të dalin në greva e demonstrate. Nëse as kjo nuk do të ketë efekt, planifikojnë krijimin e një partie.

Lajme

20/01/2014 09:31

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Muharrem Xhemajli, ka thënë se nëse Ligji për Luftën e UÇK’së nuk miratohet deri më 10 mars në Kuvendin e Kosovës, atëherë veteranët do të dalin në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Por, edhe nëse kjo nuk bën punë, Xhamejali ka thënë se do të do ta kenë mundësinë e fundit për t’u organizuar politikisht, pasi 2014 është vit i zgjedhjeve parlamentare.

“Këtë vit janë zgjedhjet parlamentare. Nëse i shterim të gjitha këto mundësi dhe Ligji nuk miratohet, atëherë pse të mos mendojmë të organizohemi edhe politikisht, në mënyrë që të kemi një përfaqësim më dinjitoz”

“Pra, të dimë se kujt t’i besohet vota jonë për t’i ngritur, rregulluar këto çështje dhe për t’i mbrojtur veteranët e luftës”, ka thënë Xhemajli për “Epokën e Re”.

Ai ka thënë se në mungesë të ligjit veteranët nuk kanë asnjë trajtim, asnjë beneficion për të pasur një jetë normale dhe të dinjitetshme duke ardhur deri tek edhe përkeqësimi shëndetësor.

“Veteranët në mungesë të ligjit për mbrojtjen e luftës prej përfundimit të saj janë ballafaquar me lloj-lloj akuzash e shpifjesh. Kujt t’i teket e çohet flet për luftën, për njerëz, bartësit e luftës, dhe askush s’merr përgjegjësi.

“Në mungesë të kushteve për ekzistencë ne kemi 28 veteranë të cilët kanë bërë vetëvrasje dhe institucionet nuk e kanë bërë atë që e kanë obligim ta mbrojnë jetën e tyre dhe t’ua sigurojnë një jetë të dinjitetshme”, tha ai për “Epokën e Re”.