Veteranët kërcënojnë Rektoratin e UP-së, por edhe Qeverinë

Sfidë e madhe për Qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm nuk do të jenë vetëm paralajmërimet e sindikatave për greva e protesta, pasi që ajo mund të përballet edhe me një pakënaqësi tjetër. 

Lajme

30/12/2014 20:18

Qëndrimet e ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, se Qeveria e Kosovës nuk mund të ofrojë një zgjidhje konkrete në kontestin tashmë disa muajsh ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe shoqatave të dala nga lufta, këto të fundit nuk i zmbraps nga kërkesat e tyre, transmeton Koha.net.

Madje, nëse brenda pak ditëve atyre nuk u ofrohet një zgjidhje, cak i protestave të tyre nuk do të jetë vetëm Rektorati, por edhe ekzekutivi i vendit.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, thotë se pas takimeve të fundit me ministrin Bajrami u është premtuar se deri të mërkurën përfundimisht do t’u jepet një përgjigje.

Sipas tij, një vendim në favor të tyre nuk do të ishte i vonshëm, pasi që ai thotë se shumica e studentëve që nuk janë pranuar sipas listës së tyre, i kanë ndjekur ligjëratat në vazhdimësi.

Ndërsa, rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu vazhdon të heshtë, duke mos dhënë deklarata rreth kësaj çështjeje.