Vetëm edhe dy ditë kohë për zyrtarët e rinj që të deklarojnë pasurinë e tyre në AKK

Edhe dy ditë skadon afati njëmujor për të gjithë zyrtarët e rinj qeveritarë për të deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsionit (AKK).

Lajme

08/01/2015 10:16

Shefi i kësaj agjencie, Hasan Preteni, ka thënë për Gazetën Tribuna se të gjitha zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë e tyre në afat prej 30 ditësh, emrat e tyre do të publikohen dhe më pas do të merret prokuroria me lëndët e tyre.

“Që kur është formuar Qeveria e Kosovës më 9 dhjetor, ne i kemi paralajmëruar zyrtaret e rij se duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë, dhe si rezultat ne jemi duke pranuar në baza ditore disa prej formularëve të deklarimit të pasurisë. Ka prej atyre që duhet ta deklarojnë, por që nuk e kanë bërë ende këtë gjë”, ka thënë Preteni.

 “Ashtu siç kemi bërë edhe më herët, të gjithë zyrtarët që e shkelin afatin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda 30 ditëve prej momentit që emërohet në detyrën zyrtarë, në do t’i publikojmë emrat e tyre”.

Edhe zyrtarët e lartë publik të cilët kanë përfunduar mandatin apo nuk janë në pozita deklaruese, me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë janë të obliguar po ashtu të deklarojnë pasurinë brenda afatit 30 ditor pas mbarimit të mandatit.

“Për zyrtarët të cilët e kanë përfunduar mandatin dhe nuk e deklarojnë pasurinë e tyre do t’i publikojmë emrat e tyre në fillim të muajit shkurt, por edhe të zyrtarëve të rinj të cilët e shkelin këtë afat”, ka thënë Preteni.