Veseli: Sa më parë ta ratifikojmë marrëveshjen e demarkacionit, nuk humbim tokë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i Partisë Demokratike, ka folur në emisionin Top Show në Top Channel për çështjen e demarkacionit dhe mundësinë e rikthimit për miratim në Kuvend.

Lajme

21/02/2017 23:24

Veseli tha se është në interes të Republikës së  Kosovës të shënojë kufirin shtetëror me një  shtet mik fqinj siç është Mali i Zi, pasi kjo marrëveshje sipas Veseli i hapë rrugë konsolidimit të shtetësisë dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli tha se mos miratimi i demarkacionit do të lente mbrapa Kosovën më rrugën e integrimeve dhe në ftohjen e raporteve me shtetet aleatë që e kanë ndihmuar shtetbërjen e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Veseli theksoi se marrëveshja e demarkacionit nuk i humb Republikës së Kosovës asnjë metër katrorë tokë, sipas kufijve administrativ të cilët siç tha ai janë përcaktuar qysh në kohën e ish-Jugosllavisë.

Ai tha se Kosova duhet të miratojë sa më parë demarkacionin pasi, Mali i Zi po përballet me presione të mëdha pro ruse të cilat në një  rrethanë më të vonshme mund të shkaktojnë probleme në Kosovë nëse kufiri shtetëror nuk përcaktohet tani. /Lajmi.net/