Vazhdon me homazhe në Prekaz manifestimi ‘Epopeja e UÇK’së’

Edhe sot vazhdon manifestimi gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Lajme

06/03/2014 07:36

Sot është paraparë të bëhen homazhe pranë varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe varrezave të familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në Komunat e Republikës së Kosovës.

Kurse, në orën 18:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet Akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Ndërkaq, nesër duke filluar nga ora 17:45 fillon riti tradicional në nderim të dëshmorëve të kombit, me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, për të vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” me program kulturor-artistik të begatshëm në sheshin Adem Jashari në Skenderaj.

Ndryshe, manifestimit i parapriu turneu tradicional “Kupa Adem Jashari” në Vollejboll, dhe vazhdoi me ceremoninë ushtarake të FSK-së, e cila u mbajt në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë.

 

(Kosovapress)