Ushtria irakiane bëhet gati të çlirojë Mosulin nga ISIS-i

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, ka thënë se forcat e armatosura të Irakut po përgatiten për të filluar ofensivën për rimarrjen e qytetit të Mosulit, të pushtuar vitin e kaluar nga militantët e grupit të ashtuquajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Bota

16/02/2015 12:23

Në një intervistë për BBC-në, kryeministri Abadi ka thënë se forcat ushtarake po bëjnë përgatitjet e fundit dhe se shpreson që brenda këtij viti qyteti i Mosulit, i dyti për nga madhësia në Irak, do të çlirohet me minimum të viktimave.

Abadi po ashtu ka thënë se gjatë muajve të parë në detyrë si kryeministër i Irakut, ka qenë “pak i frustruar” me ndihmën e ngadalshme ndërkombëtare për luftën kundër “Shtetit Islamik”, porse sipas tij, në javët e fundi situata ka ndryshuar për të mirë.

ISIS, që ka shpallur vitin e kaluar kalifatin e tij të quajtur “Shteti Islamik”, mban të pushtuara territore të mëdha të Irakut dhe të Sirisë, duke terrorizuar banorët me kryerjen e krimeve barbare, përfshi djegien dhe heqjen e kokave të pengjeve.

Ekzekutimi i më shumë se 10000 civilëve që prej majit të vitit të kaluar, për Islamin e në emër të Zotit, ka irrituar edhe shumë vende arabe, të cilat i janë bashkuar aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e cila ka filluar fushatën ajrore kundër këtyre militantëve që prej gushtit të vitit të kaluar në Irak, dhe prej shtatorit edhe në Siri.