Urimi Amerikan për zgjedhje

Departamenti Amerikan i Shtetit përgëzon Kosovën për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe dënon dhunën e ushtruar në veri të vendit.

Lajme

06/11/2013 10:27

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur Republikën e Kosovës për zgjedhjet e saj historike të 3 nëntorit.

“Organizimi i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve është një aspekt i rëndësishëm i zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratë.

Departamenti i Shtetit u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të sigurohen që faza e ardhshme e procesit zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore, të lirë dhe të drejtë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmet në veri të Mitrovicës që dëmtuan zgjedhjet në Kosovën veriore dhe u kërkojnë autoriteteve relevante të Kosovës që të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e incidenteve. Ne nuk duhet të lejojmë që dhuna e disa personave të hedhë hije mbi arritjen e rëndësishme që këto zgjedhje përfaqësojnë”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.