UNESCO/Ballafaqim i ashpër në selinë e OKB-së: Thaçi & Pacolli kundër Vuçiq & Daçiq

Ata u befasuan kur i panë në selinë e Kombeve të Bashkuara. Dhe, paplanifikuar edhe i shkëmbyen disa fjalë, duke i ngritur edhe një herë tensionet ndërmjet dy shteteve.

Lajme

24/09/2017 00:03

Krerët e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli u panë shkarazi në Nju Jork, në selinë e OKB me krerët e shtetit serb, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq.

“Kë e ke quajtur gënjeshtar?”, thuhet t’i ketë thënë Pacolli fillimisht Daçiqit, i cili deklaratën e Pacollit se Kosova i ka votat për UNESCO e kishte quajtur gënjeshtër.

“Ku i ke gjetur të gjitha ato vota për të cilat po flet? Ke humbur një herë, përseri do të humbasësh”, citojnë mediat serbe Vuçiqin t’i ketë thënë Pacollit, transmeton lajmi.net.

Pacolli krejt i qetë, ia ka kthyer: “A je lodh nga të gjitha ato takime”, duke aluduar në takimet që Vuçiqi i ka pasur në OKB për të penguar hyrjen e Kosovës në UNESCO.

Presidenti Thaçi nuk ishte përfshirë në këtë muhabet. Ai ka qëndruar anash, por nuk ka folur.

Deri te takimi i Vuçiqit dhe Daçiqit me Pacollin dhe Thaçin kishte ardhur pasi që Pacolli deklaroi se Kosova i ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në UNESCO.

Kjo deklaratë e Pacollit ka bërë që Vuçiq dhe Daçiq të reagojnë si të çmendur.

“Antarësimi i Kosovës në UNESCO ka qenë temë e të gjitha takimeve të presidentit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë në Nju Jork ditëve të kaluara”, shkruajnë mediat serbe, përcjellë lajmi.net.

“Shqiptarët pas vetës i kanë muskujt e fuqive të mëdha, por Serbia do të luftojë”, ka thënë Vuçiq, kurse Daçiq ka thënë se “ata nuk i kanë votat e mjaftueshme për UNESCO”.

“Pacolli mendon se gjithçka me para zgjidhet, por nuk është bash ashtu. Ne para dy vitesh i kemi mundur, edhe pse fuqitë më të mëdha i mbështesnin”, ka thënë Daçiq.

Në muaj nëntor bëhet votimi në UNESCO, mirëpo Kosova ende nuk ka aplikuar për anëtarësim. /Lajmi.net/